Me një dhimbje të papërshkrueshme, do t’i jepet ditën e nesërme lamtumira e fundit 20-vjeçarit Joan Zuko, i cili dje u qëllua për vdekje me kallashnikov nga shoku i tij i fëmijërisë Kristjan Sterjo.
Newsbomb.al mëson se ceremonia mortore e të riut do të zhvillohet gjatë mesditës së të nesërmes në varrezat e qytetit të Korçës.

Siç kemi raportuar dhe ditën e djeshme, shkak për vrasjen e të riut që tronditi mbarë vendin dyshoeht të jetë bërë xhelozia për të dashurën e Sterjos, të cilën ky i fundit ka pretenduar se shoku i tij e kishte ngacmuar.
Përpara grupit hetimor, 20-vjeçari deklaroi se mes tij dhe viktimës, me të cilin ishte rritur bashkë, kishte pasur konflikte të vazhdueshme. Sipas dëshmisë paraprake, shkak për përplasjen e fundit dyshohet se është bërë një konflikt i lidhur me të dashurën e Sterjos, të cilën ai pretendon se Zuko e kishte ngacmuar.
Në momentin e ngjarjes, i dyshuari dyshohet se është vënë në ndjekje të viktimës dhe dy shokëve të tij. Dy të rinjtë e tjerë kanë mundur të shmangen dhe të largohen në një drejtim tjetër, ndërsa Zuko është futur në një pallat, ku më pas është qëlluar me armë zjarri.
Në kuadër të hetimeve, janë shoqëruar për në polici 10 persona, pjesa më e madhe prej tyre të njohur të viktimës. Grupi hetimor po vijon mbledhjen e provave dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Ndërsa ditën e nesërme familja Zuko do të përcjellë për në banesën e fundit djalin e tyre.