Një incident është raportuar në Qendrën e Mediave të Eurovision Song Contest 2026 në Vjenë, ku një pjesëtare e delegacionit të Serbisë dyshohet se ka tentuar të pengojë valëvitjen e flamurit të Kosovës gjatë performancës së përfaqësuesit shqiptar. Sipas anëtarit të Eurovision Kosova, Albert Limani, incidenti ndodhi në sallën e mediave, ku ai ndodhej së bashku me ekipin e RTK-së duke ndjekur paraqitjen e Shqipërisë.
Limani ka deklaruar se një grua nga delegacioni serb iu afrua grupit dhe tentoi t’ua largojë flamurin, duke pretenduar se simboli shtetëror i Kosovës nuk lejohej në atë hapësirë. Ngjarja ka shkaktuar reagime mes të pranishmëve në qendrën mediatike, ndërsa deri më tani organizatorët e festivalit nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me incidentin.
“Derisa po festonim bashkë me kolegë të tjerë paraqitjen e Shqipërisë në Eurovision, në Qendrën e Mediave në Vjenë, një grua nga delegacioni i Serbisë erdhi dhe tentoi të na e heqë flamurin e Kosovës, duke na thënë se ‘ky flamur nuk lejohet këtu’. Sigurisht, ajo tentoi ta prekë, por nuk e lejova dhe u kthye mbrapsht. Flamuri i Kosovës do të valojë dhe do të lejohet gjithkund, ndërsa ne do ta mbrojmë me çdo kusht”, ka shkruar Limani në Facebook, duke publikuar edhe një video nga momenti i incidentit.