Kryeministri Edi Rama ka reaguar në mediat sociale pas një episodi të regjistruar gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku një protestues është përballur me kundërshtime pasi mbante një flamur të komunitetit LGBT.
Duke shpërndarë një video nga protesta, ku dëgjohen thirrje për largimin e flamurit dhe ku një pjesëmarrës duket se vihet në shënjestër për shkak të simbolit që mbante, kreu i qeverisë ka dënuar sjelljen ndaj të riut dhe ka shprehur solidaritet me të.
“Kjo nuk është Shqipëria që ne besojmë dhe sigurisht nuk është Shqipëria që po ndërtojmë si një anëtare krenare e familjes evropiane”, shkruan Rama në gjuhën angleze në reagimin e tij.
Kryeministri shpreh solidaritet të plotë me protestuesin, duke theksuar se askush nuk duhet të përballet me përjashtim apo poshtërim për shkak të dallimeve.
“Solidaritet i plotë me djalin që u bullizua. Asnjë qenie njerëzore nuk duhet të poshtërohet, të përjashtohet apo të bëhet objekt sulmesh vetëm pse është ndryshe”, shkruan Rama në anglisht që duket që kërkon që mesazhi t’iu shkojë ndërkombëtarëve.
Në fund të mesazhit të tij, Rama ka drejtuar kritika ndaj personave që, sipas tij, ushtruan presion ndaj protestuesit, duke shkruar: “Turp për bullizuesit”.
Reagimi i kryeministrit vjen në një moment kur debati mbi projektet e investimeve turistike në Zvërnec ka sjellë protesta masive.
Vëmendja e Ramës u përqendrua te incidenti i regjistruar gjatë protestës dhe jo te vetë kauza e tubimit.