Avokati Saimir Vishaj është ndarë nga jeta, pasi prej disa ditësh luftonte për jetën në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Ai ishte dërguar me urgjencë në spital pas një rënieje nga shkallët dhe, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ishte intubuar. Pavarësisht kujdesit mjekësor, Vishaj nuk arriti të mbijetonte.
Avokati ishte një nga emrat e njohur të fushës së drejtësisë në Shqipëri. Karrierën e kishte nisur në vitin 1998 dhe që prej vitit 2009 drejtonte Shoqërinë e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë.
Gjatë viteve të aktivitetit të tij profesional, kishte mbajtur edhe disa poste të rëndësishme në strukturat e avokatisë, mes tyre anëtarësinë në Këshillin e Përgjithshëm Kombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Komitetin e Disiplinës dhe Komisionin e Monitorimit të Reformës në Drejtësi.
Në gusht të vitit 2025, Saimir Vishaj kishte ndarë publikisht edhe një përvojë të vështirë personale, pasi kishte kaluar një sëmundje të rëndë që e kishte çuar në koma dhe në intubim. Pas trajtimit në Itali, ai kishte arritur të rikuperohej.