Pas raportimit të Eterna Media dhe Pa Dorashka për problemet me furnizimin me ujë në zonën e Lundrës dhe pranë TEG-ut, ka ardhur edhe reagimi zyrtar i Ujësjellës Kanalizime Tiranë.
Në postimin e publikuar në Instagram nga dy mediat, faqja zyrtare e UKT-së ka sqaruar se problemi është shkaktuar nga një defekt në linjën e transmetimit DN 315 mm HDPE në zonën e TEG-ut.
“Për shkak të një defekti në linjën e transmetimit DN 315 mm HDPE në zonën e TEG-ut do të ketë kufizime të pjesshme në furnizimin me ujë në zonat e Daiasit dhe Lundrës”, thuhet në reagimin e UKT-së.
Sipas ndërmarrjes, defekti nuk ndikon në furnizimin me ujë të zonave të tjera të kryeqytetit.
UKT bën të ditur gjithashtu se ekipet teknike janë angazhuar për zgjidhjen e situatës dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë.
“Stafi teknik i UKT-së po merr masa të menjëhershme për riparimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me ujë në këto dy zona”, përfundon reagimi.

Më herët, Pa Dorashka dhe Eterna Media raportuan për çarjen e një tubacioni pranë rrethrrotullimit të TEG-ut dhe problemet e krijuara me furnizimin me ujë, ndërsa ekipet e UKT-së kishin nisur ndërhyrjen në terren.