Screenshot
Fillimi i sezonit të ri të “Portokallisë” ka sjellë debat në rrjetet sociale, pas një skeçi që shumë ndjekës e interpretuan si ironizim të protestës qytetare që po zhvillohet prej muajsh në Tiranë.
Në episodin e parë të sezonit u përfshinë protestues, pankarta dhe batuta të lidhura me protestën, çka solli reagime të shumta dhe kritika ndaj aktorëve që morën pjesë në parodi.
Pas debatit, aktori Irgen Çela reagoi përmes një video-mesazhi, duke sqaruar se, sipas tij, qëllimi i skeçit nuk ishte të tallej me protestën apo me qytetarët që marrin pjesë në të.
Çela tha se pjesa ishte drejtuar ndaj personave që, sipas tij, e përdorin protestën për vëmendje dhe interesa personale.
“Pjesa e djeshme në ‘Portokalli’ ishte për ata njerëz që dalin për të rritur numrin e followers-ave në Instagram, jo për ata që kërkojnë shërbime më të mira”, është shprehur aktori në reagimin e tij.
Megjithatë, sqarimi i tij nuk i ka ndalur kritikat në rrjet.
Në debat është përfshirë edhe Florian Binaj, dikur partner i Irgen Çelës në skenë në rolet e njohura të “Dy Policëve”. Binaj, i cili është shprehur publikisht në mbështetje të protestës qytetare, ka reaguar duke shprehur keqardhjen për mënyrën si është trajtuar tema në emision.
Debati tashmë ka kaluar përtej vetë skeçit, duke ngritur diskutime mbi kufirin mes satirës, humorit politik dhe mënyrës se si protestat qytetare trajtohen në televizion.
