Janë zbardhur detaje të reja nga aksidenti tragjik i ndodhur një ditë më parë në Ksamil, ku humbi jetën 22-vjeçari Albiano Kreçi.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 18:30 të së hënës në Gjirin e Ksamilit. I riu, i cili vuante nga diabeti që prej moshës 15-vjeçare dhe prej dy vitesh trajtohej me insulinë, kishte marrë dozën e tij përpara se të dilte në det me mjet lundrues.
Sipas mjekëve, kjo rrethanë mund të ketë ndikuar në gjendjen e tij fizike dhe në humbjen e kontrollit gjatë drejtimit të skafit. Pamjet e momentit të përplasjes me mjetin e Policisë Kufitare dyshohet se janë regjistruar nga një velierë e huaj e ankoruar në gjirin e Ksamilit.
Trupi i 22-vjeçarit është transportuar drejt Tiranës, në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Albiano Kreçi ishte djali i vetëm mes dy motrave.
Sipas pamjeve të siguruara, në zonë ndodhej edhe një tjetër mjet lundrues me shpejtësi të lartë, ndërsa i riu nuk ka arritur të shmangë skafin e Policisë Kufitare të ndaluar në ujë, duke përfunduar në përplasje fatale.