Pas javësh me aludime dhe lajme për një krizë në marrëdhënien e tyre, Sarah Berisha ka konfirmuar se historia e dashurisë me DJ PM ka marrë fund.
Çifti, që u njoh dhe nisi romancën gjatë “Big Brother VIP Albania 1”, ishte prej vitesh një nga dyshet më të ndjekura në rrjetet sociale. Megjithatë, kohët e fundit ndjekësit kishin vënë re disa sinjale që ngritën dyshime për një ndarje, mes tyre edhe fakti që Sarah dhe PM nuk ndiqnin më njëri-tjetrin në Instagram.
Tashmë konfirmimi ka ardhur nga vetë Sarah. Gjatë një bisede me ndjekësit në Instagram, influencerja është pyetur drejtpërdrejt nëse ajo dhe DJ PM vazhdojnë të jenë bashkë.
“Jo, ne nuk jemi më bashkë. U bë disa muaj që jemi ndarë (shumë përpara se të dilte lajmi). Disa gjëra janë të shkruara për të mos zgjatur gjithmonë, por e mira është që, kur marrin fund, të ruajmë respekt për njëri-tjetrin”, ka shkruar Sarah.
Ajo ka treguar gjithashtu se vendosi të fliste publikisht për ndarjen për shkak të njerëzve që e kanë mbështetur çiftin që prej fillimit të historisë së tyre në “Big Brother VIP”.
Me këtë reagim, Sarah duket se ka dashur t’u japë fund pikëpyetjeve që kanë qarkulluar prej javësh, duke theksuar se ndarja ka ndodhur disa muaj më parë dhe se mes tyre vazhdon të ketë respekt.
