Bes Kallaku ka prekur ndjekësit me një rrëfim tepër emocional në rrjetet sociale, ku ka ndarë kujtimin e një prej gjërave më të shtrenjta për të: bluzën e parë që bleu me rrogën e tij të parë.
Aktori dhe moderatori publikoi një foto të vjetër nga fillimet e tij në ekran, krahas një imazhi aktual, ndërsa tregoi se pas më shumë se 20 vitesh ende e ruan atë bluzë me shumë kujdes.
“E hapa dollapin sot… dhe e gjeta përsëri. Të palosur me kujdes, si të ruante ende brenda aromën e atyre viteve”, shkruan Besi në postimin që ka emocionuar ndjekësit.
Ai zbulon se bluza ishte blerë me rrogën e parë tek “Portokallia”, ndërsa thekson se nuk ka ruajtur thjesht një veshje, por një copë të shpirtit të tij dhe kujtimet e djalit që dikur kthehej i lodhur, por plot ëndrra.
“Nuk kam ruajtur një bluzë. Kam ruajtur një copë të shpirtit tim”, vijon ai mes rreshtash.
Postimi është pritur me mijëra pëlqime dhe komente, ku shumë ndjekës janë ndjerë të prekur nga nostalgjia dhe rrëfimi i sinqertë i aktorit për rrugëtimin e tij drejt suksesit.
Në fund, Bes Kallaku u drejtohet ndjekësve me një pyetje që ka nxitur reagime të shumta: “Po ju, çfarë ruani nga e shkuara?”