Një incident i rëndë është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania, ku një qytetar ka dërguar pamje që tregojnë momentin kur një grua goditet me një gur në kokë nga një burrë, pas një konflikti të çastit.
Sipas dëshmitarit që ka dërguar videon, ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes në parkun e Lezhës. Gruaja, e cila shiste fara pranë trotuarit, është përfshirë fillimisht në një debat verbal me një person, i cili më pas, sipas dëshmisë, ka marrë një gur dhe e ka goditur në kokë.
Nga pamjet shihet se goditja e rrëzon gruan menjëherë në tokë, ndërsa personat e pranishëm reagojnë të tronditur.
Sipas qytetarit, pas ngjarjes në vendngjarje mbërriti policia, e cila shoqëroi autorin e dyshuar. Ndërkohë, gruaja e dëmtuar është transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
Dëshmitari sqaron se, sipas informacioneve që ai ka, mes dy personave nuk kishte lidhje familjare apo njohje të mëparshme dhe se konflikti ka qenë i çastit.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Policia e Lezhës nuk ka dhënë një njoftim zyrtar lidhur me këtë incident.
JOQ Albania mbetet në pritje të një reagimi nga autoritetet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe gjendjen shëndetësore të gruas së lënduar.