Alti Ballës, baba i dy vajzave të vogla, po përballet për herë të dytë në jetën e tij me një sfidë të rëndë shëndetësore.
Bashkëshortja e tij, Enxhi Balla, kërkon mbështetjen e qytetarëve për të përballuar kostot e një transplanti të dytë të veshkës, i cili pritet të kryhet në Greqi.
Historia e Altit është një histori shprese, por edhe sakrifice. Trembëdhjetë vite më parë ai iu nënshtrua një transplanti të veshkës, ku dhuruese ishte nëna e tij. Falë atij transplanti, ai arriti të rifitonte jetën, të krijonte familjen e tij dhe të bëhej baba i dy vajzave, sot 1 dhe 5 vjeç.
Fatkeqësisht, pas më shumë se një dekade, veshka e transplantuar ka dështuar dhe Alti është rikthyer sërish në dializë, duke u përballur çdo ditë me vështirësitë që sjell kjo gjendje.
Shpresa e tij tani është një transplant i dytë. Këtë herë, motra e tij ka vendosur t’i dhurojë veshkën, ndërsa analizat paraprake kanë treguar një përputhshmëri shumë të mirë mes tyre. Megjithatë, ndërhyrja, trajtimet mjekësore, medikamentet, shpenzimet spitalore dhe qëndrimi në Greqi përbëjnë një barrë financiare që familja nuk arrin ta përballojë e vetme.
Familja bën me dije se fondet e mbledhura do të përdoren për operacionin e transplantit, trajtimin mjekësor para dhe pas ndërhyrjes, medikamentet, si dhe shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit gjatë periudhës së trajtimit.
“Çdo kontribut, sado i vogël, mund të bëjë një ndryshim të madh dhe t’i japë Altit mundësinë të jetojë një jetë normale, larg dializës dhe pranë familjes së tij”, shprehen të afërmit.
Të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë ose të mësojnë më shumë mbi rastin mund ta bëjnë përmes platformës GoFundMe, ku familja ka publikuar edhe dokumentacionin përkatës mjekësor.