Aktivisti Bido Arditti ka bërë të ditur se ka nisur procedurat ligjore ndaj gazetarit dhe moderatorit Arjan Çani, duke e akuzuar për deklarata antishqiptare, shpifëse dhe të papërgjegjshme të bëra ndër vite në ekranet televizive shqiptare.
Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, Arditti njoftoi se ka depozituar kërkesën për gjykim penal ndaj Çanit, ndërsa paralajmëroi se do të ndjekë edhe rrugën civile për të kërkuar dëmshpërblim.
“Sot depozitova kërkesën për gjykim penal ndaj Arjan Çanit për deklaratat e tij antishqiptare, të papërgjegjshme dhe shpifëse, të bëra ndër vite duke shfrytëzuar ekranet televizive shqiptare”, shkruan Arditti.
Sipas tij, bëhet fjalë për një person që prej vitesh ka përhapur urrejtje ndaj shqiptarëve duke përdorur hapësirat mediatike që transmetojnë përmes frekuencave publike të licencuara nga shteti.
Arditti bën me dije se gjatë ditës së nesërme do të depozitojë edhe padinë civile, duke kërkuar 10 milionë lekë të reja dëmshpërblim për deklaratat që, sipas tij, janë bërë në dëm të figurës së tij.
Ai shton se në rast se fiton procesin gjyqësor, çdo qindarkë e shumës së përfituar do t’u dhurohet banorëve të Zvërnecit, të cilët prej javësh janë përfshirë në protestat kundër projektit turistik në zonë.
“Askush nuk mund t’i përdorë ekranet televizive shqiptare për të helmuar opinionin publik me deklarata të papërgjegjshme dhe për të përhapur urrejtje ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve”, përfundon Arditti në reagimin e tij.

Deri në këto momente nuk ka një reagim publik nga Arjan Çani lidhur me njoftimin e bërë nga Bido Arditti.