I riu i cili humbi jetën sot në krye të detyrës pasi vinçi u shemb duke e zënë atë poshtë së bashku me një tjetër të ri, mësohet se është 26-vjeçari Ermal Sherifi nga fshati Rubovc i Madh.
Pak orë pas ngjarjes së rëndë që tronditi Kosovën, newsbomb.al ka arritur të sigurojë fotografinë e të riut të cilit iu pre jeta në mes në lule të rinisë.
Siç mund ta shikoni dhe në foton e mëposhtme, ky është Ermali i cili humbi jetën tragjikisht në vendin e punës.
Sakaq, detaje të reja kanë dalë në pah nga ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme, pasi Inspektoriati i Punës ka bërë të ditur se vendpunishtja e subjektit “Vëllezërit Asllani”, ku ndodhi aksidenti gjatë montimit të një vinçi, nuk ishte inspektuar më herët.
Për rrjedhojë dyshohet se kjo arsyeja ishte se punimet ndodheshin në fazën fillestare të ndërtimit, përkatësisht në realizimin e themeleve.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili ka shprehur ngushëllimet e tij për humbjen tragjike të të riut. Ndërsa thekson se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm.
Reagimi i Përparim Ramës:
Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së një punëtori në aksidentin e sotëm në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”.
Në emrin tim dhe të Kryeqytetit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, ndërsa të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë.
Falënderoj Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policinë e Kosovës, ekipet e Urgjencës Mjekësore, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, si dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar në këtë ndërhyrje të vështirë.
Rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente. Vlerësimi i respektimit të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë është kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës, institucion në kuadër të nivelit qendror, dhe presim që hetimet të zbardhin plotësisht shkaqet dhe përgjegjësitë për këtë rast.
Humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi që duhet të na rikujtojë të gjithëve se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm dhe standard që respektohet në çdo vendpunishte.