Noeli nuk ka arritur t’ia dalë! I vogli, i cili e kishte ëndërr të bëhej një futbollist i madh, nuk ka mundur dot të mposhtë sëmundjen e rëndë, tumorin në kokë, me të cilin luftoi për muaj e muaj të tëra.
15-vjeçari i cili ishte dhe futbollist i Apolonisë së Fierit, ka humbur jetën duke lënë në dhimbje të madhe prindërit, motrën e tij Anjën, dhe të gjithë ata familjarë, miq e shokë të skuadrës, që e deshën dhe që shpresuan deri në fund për shërimin e tij.
Për Noel Currën u bënë të gjithë bashkë. Një vit më parë, një apel i bërë në rrjetet sociale për t’i ofruar atij mundësinë për t’u kuruar jashtë vendit bëri bashkë shqiptarët kudo. Por, pavarësisht përpjekjeve të familjarëve, shqiptarëve, vetë Noelit të vogël dhe mjekëve, tumori doli i pamëshirshëm, duke i marrë jetën në moshë të vogël, një djaloshi që kishte përpara ëndrra dhe dëshira të mëdha.