Reagimet e disa prej personazheve më të njohur shqiptarë në botë kanë tërhequr vëmendjen e mediave serbe. Granit Xhaka, Dua Lipa dhe Rita Ora kanë shprehur mbështetjen e tyre për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke rikthyer në vëmendje simbolikën e luftës dhe mesazhin e saj për lirinë.
Futbollisti Granit Xhaka ka shpërndarë në rrjetet sociale një fotografi në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, shoqëruar me mesazhin: “Ata luftuan në tokën e tyre, për lirinë e atdheut të tyre. Liria ka një emër.”
Edhe yjet e muzikës botërore, Dua Lipa dhe Rita Ora, kanë përcjellë mesazhe mbështetjeje, duke ndarë në rrjetet sociale simbolikën e UÇK-së dhe mesazhin “Liria ka një emër”.
Reagimet e tyre nuk kanë kaluar pa u komentuar nga mediat serbe, të cilat u kanë dhënë hapësirë deklaratave të futbollistit dhe dy këngëtareve.
Megjithatë, krahas pasqyrimeve të këtyre deklaratave, mediat serbe janë mundur sërish që të baltosin figurat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vend që të ndalen vetëm te mesazhet e Xhakës, Dua Lipës dhe Rita Orës, ato i kanë shoqëruar raportimet me etiketime të rënda ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke i paraqitur ata si “kriminelë”.

Artikulli i medias serbe