Bilanci i viktimave nga ngjarja e rëndë në Roskovec është rënduar, pasi Bejlere Plaku e cila u qëllua nga ish-dhëndri mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë.
“Në vijim të informacioneve paraprake të dhëna për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ju informojmë se shtetasja B. P., 51 vjeçe, e cila ishte plagosur me armë gjahu nga shtetasi R. B., 35 vjeç, ka humbur jetën në spital, si pasojë e dëmtimeve të marra.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet procedurale dhe hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit”, bën me dije Policia.
Ngjarja e rëndë
Në orët e para të së premtes, Refit Buzi shkoi në banesën e ish-partneres, Rozalina Plaku, dhe hapi zjarr me armë gjahu ndaj familjarëve të saj, duke i vrarë babanë, Kosta Plaku, dhe plagosur rëndë nënën, Bejlere Plaku, e cila ndërroi jetë në spital nga plagët e rënda.
Negociatat e forcave RENEA me 35-vjeçarin Refit Buzi përfunduan në mënyrë tragjike, pasi ai i dha fund jetës pas më shumë se 7 orësh rezistence brenda makinës së tij, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga ngjarja tragjike në fshatin Vidhishtë të Roskovecit.
35-vjeçari Refit Buzi, i njohur edhe me emrin Nertil Buzi, qëlloi veten me armë zjarri brenda mjetit, në fshatin Cerven, ku ndaloi pas vrasjes së ish-vjehrrit.
Ai nuk pranoi të dorëzohej te RENEA, që negociuan për disa orë me radhë, duke rrethuar zonën me snajperë e forca të shumta.
Krimi i rëndë ndodhi rreth orës 06.00 të mëngjesit në banesën e familjes Plaku, ku 35-vjeçari mori peng përmes forcës edhe ish-të fejuarën e tij 24 vjeçaren, Rozalina Plaku.
Pas negociatave të para nga Policia dhe RENEA, autori i krimit e la të lirë vajzën. Vetë 35-vjeçari kishte deklaruar pas krimit të rëndë se e kishte vrarë ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën, pasi i kishte dhënë vajzës së tyre, ish-të fejuarës, mijëra paund, të cilat nuk ia kishte kthyer kurrë.
Të njëjtit version i qëndrojnë edhe prindërit e autorit të krimit.
Mësohet se 35-vjecari kishte kohë që e kërcënonte ish-të fejuarën studente të Mjekësisë. Dyshohet se ai kryente aktivitete të paligjshme jashtë Shqipërisë, pasi në vitin 2022 rezulton të ketë qenë në mesin e shtatë shtetasve shqiptarë, që u morën peng për prishje të pazareve të drogës në Londër.
Katër vite më parë familjes së tij i kishin kërkuar një dëmshpërblim prej 400 mijë paundësh për lirimin e tij. Nuk dihet nëse kjo ngjarje është bërë shkak për ndarjen e tij nga e fejuara Rozalina Plaku, por për këto episode ai ishte shoqëruar dhe arrestuar më parë nga policia.