Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani, i cili mbeti i plagosur në syrin e majtë, në protestën e 24 tetorit, mbrëmjen e sotme ka dhënë intervistën e tij të parë, pas dy operacioneve të kryera me sukses në Itali.
Gjatë intervistës në Top Story, Vishkulli ka folur për pasionet, teksa tregon dhe për operiacionet e tij, ku gjithashtu kujton dhe momentin e goditjes nga një efektiv me plumb gome.
“E drejta e qytetarit nuk po dëgjohet, ka padrejtësi në shëndetësi, arsim, këto më shtynë të dal. Atë ditë kam qenë në sheshin kryesor, te Banka e Shqipërisë, përballë policëve, nuk po bëja asnjë reagim, kam pasur para turmë protestuesish dhe në atë moment ndjeva një goditje dhe dhimbje të fortë. Nuk e kuptova as çfarë ishte, as nga më erdhi”, është shprehur ai.
Ai është shprehur se në momentin e goditjes ka ndjerë një goditje dhe dhimbje të fortë, duke mos e kuptuar se nga i erdhi. Ndër të tjera, 28-vjeçari tregon se pas 2-3 minutave të goditjes, i ka rënë të fikët dhe se është përmendur në spital, para se të hynte në sallën e operimit.
I riu rrëfen momentet e vështira që kanë kaluar prindërit e tij gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa tregon dhe mënyrën sesi ata e kanë marrë vesh këtë situatë, ku është shprehur se mamaja ka kaluar traumë, e cila pasi e ka marrë vesh lajmin e keq për të birin, ka filluar nga të bërtiturat.
Pjesë nga fjala e tij:
E drejta e qytetarit nuk po dëgjohet, ka padrejtësi në shëndetësi, arsim, këto më shtynë të dal. Atë ditë kam qenë në sheshin kryesor, te Banka e Shqipërisë, përballë policëve, nuk po bëja asnjë reagim, kam pasur para turmë protestuesish dhe në atë moment ndjeva një goditje dhe dhimbje të fortë. Nuk e kuptova as çfarë ishte, as nga më erdhi.
Kisha pamje për momentin, nuk e kuptova që e kisha plagën në sy. Më pas bie në tokë nga dhimbjet e tmerrshme, pas 2-3 minutash më bie të fikët dhe përfundoj në spital. Jam përmenduar para se të hyj në sallën e operacionit, dëgjoja mjekët që flisnin për syrin, dëgjoja shokët dhe familjen jashtë. Nga dreka më ka shkruar një shok, Klajdi më ka thënë se kam një maskë të mirë dhe atë duhet, i kam thënë ta mbajë vetë dhe të ruajë veten.
Frikë nuk kisha, shkova me idenë se nuk do të më ndodhte gjë. Po ta kisha maskën, nuk do të më ndodhte. Frikë? Çfarë frike? Kalova një traumë të fortë, kam vuajtur edhe traumta të tjera përtej shikimit, falë Zotit unë e kalova dhe e them sërish se ku ka padrejtësi, unë do ta krej zërin.
Jam i fokusuar te gjendja, ime shpresoj të më vijë shikimi dhe të vijoj jetën normale. Mjekët fillimisht kërkuan të shpëtojnë strukturën e syrit, tani po shpresojmë, nuk më kanë dhënë asnjë siguri. Do të jetë procedurë e gjatë, kërkon të paktën 1 vit, kam kontrolle, do të kryej edhe ndërhyrje të tjera. Më datë 17 do të shkoj sërish në Itali dhe do të caktojmë një datë operimi.
Pas asaj gjithë asaj buje të madhe, shëndetësia këtu nuk e mori përsipër dhe ishte detyrë e shtetit. Ndërhyri Ministria e Shëndetësisë për të më dërguar në Romë. Në atë moment i rëndësishëm ishte shëndeti, vendimin e kanë marrë tjerët për mua. Unë dy ditët e para nuk kam qenë në gjendje të flas. Unë me zemër do të jem me protestuesit, por gjendja ime nuk premton për të shkuar në protestë. Duhet të mbroj syrin nga tymrat, ky është rregulli numër 1, sipas mjekut.
Babi u lajmërua në telefon, mami e ka parë në rrjetet sociale dhe ka pësuar një traumë. I ka rënë nga telefoni dhe kanë nisur të bërtiturat, më pas janë nisur menjëherë për në spital. Kam mbaruar për gazetari, kam bërë praktikë, jam marrë me intervistat për shkak të futbollit, por jam fokusuar më shumë te biznesi familjar. Gazetarinë e kam lënë për një moment të dytë.
E konsideroj veten të suksesshëm, kam një fabrikë vaji, e kemi ngritur me mund dhe sakrificë. Një skuadër futbolli apo një parti politike i ka shërbyer më shumë Shqipërisë? Një skuadër futbolli, sepse ka mbledhur njerëz nga kudo, nga trevat shqiptare, që politika nuk e ka bërë. Luftojmë për Shqipëri Etnike dhe e kemi vetëm në tribunë. Ju ftoj një ditë në tribunë dhe do të shohësh djem e vajza nga çdo trevë ku flitet shqip.
Atë që nuk e ka bërë politika, e ka bërë futbolli, ka bërë bashkë gjithë shqiptarët. Nuk jam marrë me politikë, nuk preferoj të merrem, mjafton që këtë vend ta duan dhe vlerësojnë sa populli. Nuk do të merresha me politikë, frymëzimi im është Marin Mema, që ka thënë se do të kontribuojë gjithnjë për vendin, por larg politikës. Shqipërinë e bëjmë të gjithë bashkë.
Për momentin nuk jam i aftë për punë, e kam syrin tjetër, por kam dhimbje, nuk ndihem mirë, as ilaçet nuk më lënë të qetë. Më duhen pushime, duhet të shkoj shpesh në Itali. Kam qëndruar 2 orë në prokurori, më kanë pyetur për rrethanat para dhe pas, për spitalin, operacionet. Po kryhen hetimet, unë dua drejtësi, për mua ishte gjë e rëndë. Unë po rrija në Firence te ca miq të mi dhe mami e mori vesh se kthehem në Shqipëri dhe u kërkoi kushërinjve të më mbanin në Itali deri pas datës 28, sepse ajo e di se unë dua të shkoj në protestë.