Abdul Ballout, 21 vjeçari i cili dyshohet se kreu sulmin terrorist në Berlin, është vrarë këtë të diel, 26 korrik, gjatë një operacioni policor në një kompleks kopshtesh private në zonën Spandau të kryeqytetit gjerman.
Sipas RBB, gjithashtu është arrestuar pasagjeri me të cilin ndodhej në automjet i riu.
Policia e Berlinit e kishte identifikuar të dyshuarin si dhe kishte publikuar fotografinë e tij, duke u kërkuar qytetarëve informacione për vendndodhjen e tij.
Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, deklaroi më herët se i dyshuari kishte “tërhequr vëmendjen në të kaluarën përmes një numri të lartë veprash penale, përmes radikalizimit dhe përmes lidhjeve me skenën islamiste”. Ai shtoi se bëhej fjalë për një shtetas gjerman me origjinë libaneze, i lindur në Gjermani në vitin 2005.
Ngjarja ndodhi pak para orës 22:00 me orën lokale, në parkun Tiergarten, pranë Portës së Brandenburgut, ku ishin mbledhur pjesëmarrës dhe vizitorë të aktivitetit. Si pasojë humbi jetën një grua dhe të paktën 29 të tjerë mbetën të lënduar.
Kancelari gjerman Friedrich Merz e dënoi sulmin, duke e cilësuar atë si një “akt të tmerrshëm” dhe premtoi se autoritetet do të zhvillojnë një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes.
Edhe kryebashkiaku i Berlinit, Kai Wegner, reagoi pas incidentit, duke deklaruar se bëhet fjalë për “një sulm ndaj shoqërisë sonë të lirë dhe të hapur”. Hetimet vijojnë, ndërsa policia mbetet në gatishmëri të lartë në zonën ku ndodhi sulmi.