Një lajm emocionues ka prekur rrjetin dhe mijëra njerëz që prej ditësh ishin bashkuar për të ndihmuar Pranverën, 30-vjeçaren që po lufton me leukeminë akute mieloide (AML).
Pas thirrjeve të shumta për ndihmë dhe shpërndarjes masive të fushatës në rrjetet sociale, është arritur që të mblidhet shuma e kërkuar në GoFundMe për transplantin e palcës së kockës dhe trajtimin e saj jetik. Në platformë rezulton se janë mbledhur mbi 450 mijë dollarë, falë mijëra donatorëve që kontribuan nga vende të ndryshme të botës.
Lajmi u bë i ditur përmes një postimi emocional në Instagram, ku familjarët dhe miqtë e Pranverës falënderuan të gjithë ata që dhuruan, shpërndanë apelin dhe u lutën për të.
“Sot zemra na pik plot pika gëzimi sepse shuma në GoFundMe u plotësua. Pranvera do t’i rikthehet jetës dhe kjo është fitorja më e bukur për të gjithë ne”, thuhet në reagimin e publikuar.
Në mesazhin falënderues u përmendën edhe personat që qëndruan pranë saj gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë, duke e kthyer këtë histori në një nga rastet më prekëse të solidaritetit shqiptar në rrjet.

Vetëm pak ditë më parë ishte publikuar apeli për ndihmë, ku bëhej me dije se kimioterapia nuk ishte më e mjaftueshme dhe se shpresa e vetme për Pranverën ishte një transplant urgjent i palcës së kockës.
Tashmë, falë mbështetjes së madhe, familja ka konfirmuar se misioni është realizuar dhe Pranvera do të ketë mundësinë të vazhdojë betejën për jetën me më shumë shpresë.