24-vjeçarja, e cila u mbajt peng për disa orë nga ish-i fejuari i saj, pasi ky i fundit vrau babanë e saj dhe plagosi nënën, ndodhet aktualisht në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po merret në pyetje nga grupi hetimor.
Ndërkohë, nëna e saj, 55-vjeçarja Belere Plaka i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale që ka zgjatur rreth pesë orë, pas plagëve të rënda të marra nga arma e zjarrit.
Burime spitalore bëjnë me dije se, pavarësisht ndërhyrjes së gjatë të ekipit mjekësor, gjendja e saj shëndetësore vijon të jetë e rënduar dhe ajo mbetet nën kujdes intensiv.k
Policia e Fierit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit, ku 35-vjeçari Nertil Buzi ka vrarë ish-vjehrrin Kosta Plaka, ka plagosur ish-vjehrrën Belere Plaka, si dhe ka marr peng ish- të fejuarën e tij.
Pas ngjarjes autori është larguar me një automjet së bashku me ish-të fejuarën, duke marrë me vete edhe armën e gjahut, me të cilën ka qëlluar.
Ajo u lirua disa orë më vonë.
“Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut”, thuhet në njoftim.