Policia e Tiranës i ka kërkuar gazetarit të showbiz-it Elton Tozaj një deklaratë me shkrim në lidhje me videot intime që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe kryesisht përmes aplikacionit WhatsApp, materiale që janë lidhur publikisht me kompozitorin Adi Hila.
Tozaj kishte folur më herët publikisht për ekzistencën e këtyre materialeve dhe kishte postuar në rrjetet sociale imazhe të censuruara nga disa prej videove, duke përmendur edhe emra personazhesh të njohur që, sipas tij, shfaqeshin në to.
Në deklaratën me shkrim të paraqitur për autoritetet, Tozaj ka sqaruar se nuk ka qenë në asnjë moment personi që ka prodhuar, regjistruar, publikuar apo shpërndarë videot intime.
Sipas versionit të tij, disa prej materialeve i janë dërguar në WhatsApp nga persona të tjerë dhe ai ka reaguar më pas publikisht në cilësinë e gazetarit.
“Qëllimi i reagimit tim ishte denoncimi i fenomenit dhe informimi i publikut, jo përhapja apo promovimi i materialeve intime”, thuhet në deklaratën e tij.
Tozaj thekson gjithashtu se nuk ka publikuar në profilet e tij sociale video intime apo pamje pornografike dhe se nuk ka pasur si qëllim ekspozimin apo dëmtimin e personave të përfshirë.
Ai ka deklaruar se vetëm më vonë, pas kërkimeve të kryera prej tij, ka mësuar se disa nga materialet mund të kishin qenë të publikuara më herët në faqe pornografike dhe se mund të kishin qenë të pranishme në internet prej më shumë se një viti. Sipas tij, këtë informacion nuk e kishte në momentin kur videot i mbërritën në WhatsApp.
Në deklaratën e tij, Tozaj thotë gjithashtu se ka kontaktuar një prej grave që e konsideronte të dëmtuar nga qarkullimi i materialeve dhe i ka sugjeruar t’u drejtohej menjëherë organeve kompetente dhe të bënte kallëzim, në mënyrë që të hetohej se kush i kishte realizuar, publikuar dhe shpërndarë videot.
Gazetari ka shtuar se është i gatshëm të bashkëpunojë me Policinë dhe të vërë në dispozicion çdo informacion, komunikim, screenshot apo mesazh që mund të ndihmojë në zbardhjen e çështjes.
“Tozaj” kërkon që çdo pretendim që e lidh atë me publikimin apo shpërndarjen e materialeve të verifikohet mbi bazën e provave konkrete dhe jo vetëm mbi faktin se ai ka raportuar publikisht për ekzistencën e tyre.
Verifikimet e autoriteteve pritet të përcaktojnë origjinën e materialeve, mënyrën e publikimit të tyre fillestar dhe personat që kanë kontribuar në shpërndarjen e mëtejshme në internet dhe në aplikacionet e komunikimit.