Reagimet në rrjet pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama ndaj blogerëve dhe influencerëve kanë sjellë një debat të fortë online. Mes tyre ka reaguar edhe influencerja Dajana Kalo, e cila ka publikuar një seri mesazhesh në InstaStory, ku flet për rolin që kanë pasur rrjetet sociale dhe personazhet publikë në ndihmën ndaj njerëzve në nevojë.
Ajo shprehet se shumë shqiptarë janë shpëtuar falë solidaritetit të treguar online dhe jo falë sistemit shëndetësor, duke theksuar se “në vitin 2026 jetët shpëtohen nga shqiptarët që hapin portofolin e tyre”. Në reagimin e saj, Dajana ngre pyetje për njerëzit që nuk kanë zë publik apo mundësi për t’u dëgjuar, duke theksuar se pikërisht për ta duhet të ketë reagim dhe protestë.
Influencerja kujton edhe rastet kur qytetarë të zakonshëm kanë marrë ndihmë falë sensibilizimit në rrjetet sociale, ndërsa shton se pas statistikave fshihen histori të vështira familjesh dhe njerëzish që përballen me dhimbje të mëdha.
Në një tjetër pjesë të reagimit, ajo del në mbështetje të influencerëve, blogerëve dhe krijuesve shqiptarë të përmbajtjes, duke thënë se ata nuk janë vetëm “fytyra të bukura në Instagram”, por shpesh persona që ndihmojnë në kauza sociale, sensibilizojnë publikun dhe kontribuojnë për njerëzit në nevojë.
Postimet e saj kanë marrë shumë reagime në rrjet, ndërsa debati mbi deklaratat e kryeministrit dhe rolin e influencerëve në Shqipëri vijon të jetë një nga temat më të komentuara online.



