Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Kavajë, ku një 76-vjeçar dyshohet se ka vrarë me thikë vëllanë e tij 74-vjeçar.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30 në fshatin Agonas. Dy vëllezërit ndodheshin në arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë, kur mes tyre dyshohet se ka ndodhur një konflikt që ka përfunduar në mënyrë tragjike.
Policia bën me dije se shtetasi M. Rr., 76 vjeç, ka goditur me mjet prerës (thikë) vëllanë e tij, E. Rr., 74 vjeç. Ky i fundit u transportua me urgjencë drejt spitalit për të marrë ndihmë mjekësore, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe humbi jetën rrugës.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj. Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur shkaqet që çuan në konfliktin fatal mes dy vëllezërve.