Kjo e hënë 25 maj ishte dita e parë e javës së fundit të majit dhe për Algitin që sapo kishte nisur filloren, qershori do të sillte pushimet e gjata të verës.
Por kjo ditë rezultoi tragjikisht e fundit për jetën e tij në këtë botë, pasi vdiq në një aksident fatal që lemerisi nënën e cila e kishte në krah.
Algit Samurri, 7 vjeç nga fshati Mengël pak kilometra larg qytetit Elbasan, mëngjesin e djeshëm rreth orës 08.00, po shkonte me mamin në shkollë, ku do të linin motrën e tij e cila e kishte mësimin paradite, ndryshe nga ai që e kishte pasdite.
Teksa lanë të voglën në shkollë, morën të kthehen për në shtëpi, me planin që të riktheheshin në drekë sërish.
Por ato çaste, fëmija, nuk dihet se si, u shkëput në një moment fatkeq nga duart e nënës dhe pak metra më tutje teksa bënte të kalonte rrugën, një makinë afrohet dhe e shtyp.
Ngjarja rezultoi fatale për të voglin.

Policia tha se shoqëroi Petri Bozon, 61 vjeç, producent spektakleve, kryesisht për miss-et.
Pas aksidentit në aksin “Elbasan-Librazhd”, pranë fshatit Mengël, siç shihni foto, kanë dalë në dritë dëshmi nga dy persona që punojnë në një furrë buke ndodhur shumë pranë vendngjarjes.
Një punonjëse e furrës tha për mediat në vendngjarje se automjeti që përplasi të miturin lëvizte me shpejtësi të lartë në momentin e ngjarjes, duke ngritur shqetësime mbi mënyrën e drejtimit të mjetit në këtë segment rrugor.

Ndërkohë, një tjetër punonjës ka rrëfyer edhe fjalët e para të drejtuesit të automjetit pas aksidentit. Sipas tij, shoferi ka pretenduar se po lëvizte me shpejtësi të ulët, rreth 10 km/h, dhe ka mohuar përgjegjësinë për ngjarjen, duke theksuar se bëhet fjalë për një rrugë nacionale.
“Ai tha se ishte duke ecur me 10 km në orë. Tha jam duke ecur në rrugë nacionale, kam të drejtën time, isha me 10 km/h””, tha banori, ndërsa shtoi se rruga është bërë shumë e rrezikshme në këtë lagje dhe se edhe më parë kanë ndodhur aksidente.
