Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Lezhë, ku një 28-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se tentoi të vriste nënën e bashkëjetueses së tij duke e përplasur me automjet. Sipas Policisë, rreth orës 02:05, në lagjen “Skënderbeg”, i riu Cuf Behi banues në Tiranë, kishte shkuar për të marrë bashkëjetuesen, ndërsa gjatë përplasjes me familjarët e saj dyshohet se goditi me makinë 43-vjeçaren K. H., duke i shkaktuar dëmtime trupore, e më pas u largua nga vendi i ngjarjes.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë organizuan kërkimet dhe arritën ta lokalizonin e ta vinin në pranga të riun vetëm pak kohë pas ngjarjes. Ai akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, ndërsa automjeti i përdorur është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
43-vjeçarja e dëmtuar u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.