Zjarri i cili tmerroi Krujën të shtunën e kaluar, la pas sipërfaqe të mëdha të djegura me ullishte e pemë të tjera, por edhe të vetmin objekt ndërtimor të konfirmuar zyrtarisht, një magazinë. Por ajo ndërtesë nuk ishte vetëm magazinë për Muharremin dhe Malvinën, ishte ëndrra për të cilën ata punuan 7 vite për ta ngritur, por fatkeqësisht u venit para syve të tyre para flakëve.
Dhe më shumë se aq, ajo punishte ishte për ta burimi kryesor i të ardhurave për familjen e tyre, prej kohësh çifti punonin bashkë për të krijuar objekte artistike me rezinë. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, ata u kanë kërkuar ndihmë shqiptarëve për të ringritur biznesin e tyre, qoftë duke e shpërndarë rastin e tyre ose përmes një GoFundMe i cili është ngritur nga nipi i tyre.
“Situata bëhet edhe më e vështirë sepse ai pothuajse çdo të ardhur e ka investuar përsëri për të ngritur dhe zhvilluar biznesin. Tani do t’i duhet shumë kohë për të riparuar dëmet dhe për të rindërtuar atë që ka humbur, ndërkohë që duhet të kujdeset për familjen dhe të përballojë detyrimet financiare. Po përpiqemi ta ndihmojmë që të rimëkëmbet dhe të ketë mundësinë të fillojë përsëri punën sa më shpejt”, shkruhet ndër të tjera në historinë e shpërndarë GoFundMe.
Megjithëse të “rrëzuar” nga fati i keq, Muharremi dhe Malvina janë ende shpresëplotë që do ta ringrejnë sërish ëndrrën e tyre, e po ashtu mirënjohës për zjarrfikësit heronj që luftuan me flakët, duke shmangur shkatërrimin e plotë të ndërtesës, si edhe për këdo që mund të ndihmijë sado pak duke kontribuar financiarisht apo duke e shpërndarë rastin e tyre.
“Ajo natë na mësoi një gjë shumë të rëndësishme: Që nuk ishim vetëm, sepse mes mijëra mesazheve dhe qindra telefonatash, e ndjemë mbështetjen dhe forcëb për të mos u dorëzuar nga ju njerëz të mrekullueshëm”, ka shkruar Malvina në postimin e saj në rrjetet sociale.