Të rinjtë do të bëhen pjesë e një aktiviteti interaktiv në Tiranë, që synon të nxisë përfshirjen e tyre në diskutimet mbi shëndetin mendor, mirëqenien, pjesëmarrjen qytetare dhe fuqinë e komunikimit përmes platformave digjitale.
Aktiviteti me titull “Voice for Change: Youth in Action” do të zhvillohet më 27 nëntor, nga ora 15:00 deri në 19:00, në ambientet e American Corner Tirana.
Përmes një formati ndërveprues, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të diskutojnë mbi sfidat me të cilat përballen të rinjtë, rëndësinë e shëndetit mendor dhe mënyrat se si zëri i tyre mund të shndërrohet në një instrument për ndryshim në komunitet.
Në fokus të aktivitetit do të jenë katër tema kryesore: shëndeti mendor dhe mirëqenia, pjesëmarrja qytetare, rrëfimi i historive dhe media digjitale, si dhe iniciativa për ndryshim të udhëhequra nga të rinjtë.
Në mesin e folësve të aktivitetit është Nicole Banister, prezantuese televizive dhe moderatore ndërkombëtare nga Los Angeles, SHBA, si dhe Nela Červenková, themeluese e organizatës joqeveritare “Shortcuts of Life” në Pragë, Republika Çeke.


Pjesë e panelit do të jetë edhe gazetari Kleo Bello, nga Tirana, i cili do të kontribuojë në diskutimet mbi komunikimin, median dhe rolin e të rinjve në përcjelljen e mesazheve me ndikim shoqëror.

Nisma zhvillohet në kuadër të programit Community Engagement Exchange (CEE) dhe synon të krijojë një hapësirë ku të rinjtë jo vetëm të ndajnë përvojat dhe mendimet e tyre, por edhe të diskutojnë ide konkrete për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri.
Mesazhi i aktivitetit është i qartë: zëri i të rinjve ka rëndësi dhe është koha që ata të jenë pjesë aktive e bisedave dhe vendimmarrjes që ndikojnë në të ardhmen e tyre.