Protestuesi që kaloi natën para Kryeministrisë në Tiranë, Erlis Sina, i është përgjigjur publikisht kryeministrit Edi Rama, pas një reagimi të këtij të fundit ku e kishte përmendur në rrjetet sociale.
Në një reagim të gjatë të publikuar online, Sina hedh akuza të forta ndaj kreut të qeverisë, duke e cilësuar si përgjegjës për problemet e tij personale dhe për situatën e përgjithshme në vend. Ai thekson se nuk është pjesë e protestave për shkak të mashtrimit, por për shkak të realitetit që, sipas tij, qytetarët e jetojnë çdo ditë.
Sina, i cili raportohet se ka marrë pjesë edhe më herët në protesta të Partisë Demokratike ku janë përdorur mjete piroteknike dhe është arrestuar më pas nga policia, vijon me një gjuhë të ashpër ndaj qeverisë.
REAGIMI I PLOTË
“Përgjigje e detyruar për Edi Ramën!
UNË NUK JAM TI!
Mos më thuaj se te fotografia ime sheh veten tënde.
Unë nuk jam ti.
Unë nuk jam ai që ka pushtetin prej vitesh në dorë.
Nuk jam ai që firmos vendime që ndryshojnë jetët e njerëzve.
Nuk jam ai që kontrollon institucionet, buxhetet dhe fatet e këtij vendi.
Ti je.
Prandaj mos guxo të më thuash se halli im është si halli yt.
Ti nuk je viktima e halleve të mia.
Ti je autori i tyre.
Je autori i emigrimit të mijëra të rinjve që nuk panë më të ardhme në Shqipëri.
Je autori i padrejtësive që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendi i tyre.
Je autori i arrogancës së një pushteti që nuk dëgjon më askënd përveç vetes.
Kur thua se ke frikë nga ata që mund t’i bëjnë keq Shqipërisë, harro një gjë:
Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e votës.
Nuk ka humnerë më të thellë se grabitja e pronës.
Nuk ka humnerë më të thellë se shkatërrimi i dinjitetit.
Nuk ka humnerë më të thellë se vjedhja e së ardhmes së një brezi të tërë.
Mijëra njerëz nuk mbushin sheshet sepse i manipulon algoritmi.
Nuk protestojnë sepse ua kërkojnë influencerat.
Nuk zemërohen sepse ua dikton opozita.
Ata dalin në shesh sepse jetojnë realitetin çdo ditë.
Sepse paguajnë faturat.
Sepse kërkojnë punë.
Sepse presin në spitale.
Sepse shohin fëmijët të largohen.
Sepse ndihen të huaj në vendin e tyre.
Dhe kur ti përpiqesh t’i paraqesësh si turmë të përdorur, nuk po i kupton.
Po i përçmon.
Fotografia ime në murin tënd më bën pis.
Mos e përdor për të larë përgjegjësitë e tua.
Mos e përdor për të fshehur dështimet e tua.
Mos e përdor për të ndërtuar historinë tënde si shpëtimtar.
Unë nuk jam ti.
Dhe nëse jam në shesh, nuk jam aty sepse më ka mashtruar dikush.
Jam aty sepse e di shumë mirë kush më ka sjellë deri këtu.”