Këngëtarja e njohur Vesa Luma ka reaguar publikisht lidhur me rastin që ka bërë bujë në rrjet, ku dy efektivë policie u pezulluan nga detyra pasi u kapën në situatë intime brenda një automjeti.
Përmes një InstaStory, Vesa ka ngritur shqetësimin për mënyrën sesi po trajtohet publikisht ngjarja, duke theksuar se vëmendja është përqendruar vetëm te efektivja femër, ndërsa kolegu mashkull nuk është ekspozuar në të njëjtën mënyrë.
“Po kolegu? Ku është me fytyrë? Apo kolegut ‘hallall’ se është mashkull, po ta shohim kush është policja?”, shkruan ajo.
Artistja shton se nuk justifikon asnjë keqpërdorim detyre, por kritikon mënyrën sesi po bëhet “linçimi publik” vetëm ndaj njërës palë.
“P.S Asnjë keqpërdorim detyre nuk justifikohet, por po i hyte kësaj pune me i linçu me emra e fytyrë, bëjeni për të dyja palët të paktën… Na falni a, se mos po kërkojmë ne femrat shumë”, përfundon Vesa Luma në reagimin e saj.
Postimi i saj ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë ndjekës kanë mbështetur qëndrimin e këngëtares lidhur me standardet e ndryshme në trajtimin publik të grave dhe burrave në raste të tilla.
