Screenshot
Pas publikimit të lajmit që ka qarkulluar në rrjetet sociale se u bën foto dhe ndjek protestuesit e Tiranës, ka reaguar publikisht efektivi i Policisë së Shtetit. Në një deklaratë të gjatë të shpërndarë në rrjetet sociale, Meti Dida ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të fabrikuara.
Efektivi falënderon familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe, ndërsa thekson se detyra e tij si punonjës policie është ruajtja e rendit dhe sigurisë publike.
Sipas tij, pretendimet e ngritura nga personi që publikoi videon nuk pasqyrojnë realitetin dhe tashmë çështja është në duart e organeve kompetente, të cilat do të japin vlerësimin përkatës sipas ligjit.
“Në gjithë këtë zhurmë të krijuar nga mediat, portalet dhe rrjetet sociale, i vetmi fakt është ajo që shihet në video. Gjatë gjithë kohës kam qenë i qetë, buzëqeshës dhe kam kryer detyrën time”, shprehet ai në reagim.
Më tej, efektivi akuzon denoncuesin se ka shpërndarë informacione të pavërteta, ka cenuar imazhin e tij dhe ka ndërtuar një narrativë të rreme për përfitime personale. Për këtë arsye, ai bën të ditur se çështja do të ndiqet në rrugë ligjore.
Në fund të reagimit, ai u bën thirrje qytetarëve që të shohin me kujdes videon e publikuar dhe të krijojnë vetë bindjen e tyre, duke këmbëngulur se ka vepruar me profesionalizëm dhe në përputhje me detyrën e tij si punonjës policie.
“Do të vazhdoj të bëj punën time me të njëjtin përkushtim si gjithmonë”, përfundon ai në mesazhin e tij.
