Ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës 17-vjeçari i cili u plagos aksidentalisht me armë nga shoku i tij disa ditë më parë në Tiranë.
Adoleshenti ishte qëlluar me plumb në kokë nga 19-vjeçarit Rigels Sylaj, në banesën e këtij të fundit në zonën e kthesës së Kamzës. Ngjarja ndodhi teksa 19-vjeçari dyshohet se po u tregonte një armë zjarri pa leje shokëve të tij, kur arma është shkrepur duke plagosur në kokë 17-vjeçarin. Fillimisht, të rinjtë kishin deklaruar se kishin dëgjuar të shtëna nga jashtë dhe e kishin gjetur të plagosur në oborr, por më pas kanë pranuar se incidenti kishte ndodhur brenda banesës.
Sylaj u arrestua fillimisht për plagosje të rëndë me dashje, por tashmë pritet që ndaj tij të rëndojë akuzë më e rëndë. Përveç tij u arrestuan edhe dy shokë të tjerë të cilën u vunë nën akuzë për veprime që pengojmë zbulimin e së vërtetës.