Përplasja mes Cllevios dhe Noizyt është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes pas zhvillimeve të fundit në GJKKO dhe deklaratave të forta të bëra nga TikToker-i para mediave.
Ditën e sotme, Cllevio u paraqit në ambientet e GJKKO-së, ku foli për gazetarët lidhur me konfliktin që ka pasur prej kohësh me reperin Noizy, por edhe për raportin e tij me Laert Haxhiun. Ai deklaroi se Laert Haxhiun e ka “shok të ngushtë”, por mohoi të ketë kërkuar ndihmën e tij për konfliktet me Noizyn.
“Kam patur konflikte me Noizyn, por s’kam kërkuar ndihmën e Laert Haxhiut. Unë jam palë dëmtuese, siç është ai me tritol unë jam me grushte”, u shpreh Cllevio.
Ai shtoi gjithashtu se ndihet i rrezikuar, duke deklaruar se “ecën me blinda nga frika e Noizyt”, ndërsa bëri thirrje që reperi të paraqitet në gjyq dhe të mos shtyhen më seancat.
Këto deklarata kanë sjellë menjëherë reagimin e Noizyt në rrjetet sociale. Reperi publikoi një postim që u interpretua nga ndjekësit si një përgjigje direkte ndaj Cllevios, edhe pse pa përmendur emra konkretë.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më parë, edhe Noizy ishte paraqitur në GJKKO së bashku me babain e tij për çështjen që lidhet me episodin e tritolit të vendosur vite më parë në biznesin e reperit në Durrës.
Ndërkohë, seanca ndaj Laert Haxhiut dhe grupit të tij është shtyrë, ndërsa pritet që dëshmi të tjera të jepen në vijim. E gjithë situata ka ndezur rrjetin, me komentet dhe reagimet që vazhdojnë të shtohen në Instagram dhe TikTok.