Për katër vjet, Edona Gashi kishte dëgjuar të njëjtin premtim nga partneri i saj, Justin Prendi. Ai do t’i propozonte për martesë më 14 shkurt në Paris. Por pyetja e shumëpritur e gjeti gazetaren, të njohur si “Shoqja Edonë”, në një koncert në Detroit. Mes muzikës, në prani të miqve, Justini u ul në gjunjë me unazën në dorë dhe Edona tha “po”.
Gazetarja e ndau lajmin në Instagram, ku publikoi videon e propozimit dhe tregoi si kishte arritur partneri ta ruante surprizën për kaq gjatë.
“I dashuri jem, qe 4 vite, më ka thënë se propozimin ka me ma ba më 14 shkurt në Paris. E krejt kjo paska qenë një maskë, që unë të mos dyshoja se kur do të ndodhte vërtet propozimi. E pra, SONTE THASHË PO!”, shkroi Edona.
Ajo falënderoi miqtë që e përjetuan atë çast bashkë me ta, por edhe njerëzit në koncert që u gëzuan për çiftin, megjithëse nuk i njihnin. Në fund të postimit, Edona kishte edhe një kujtesë për të fejuarin e saj. “E sa për Parisin, tash prapë duhet me më çu!”