Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të marte në plazhin e Velipojës ku një i ri ka pësuar djegie në trup pasi i ka shpërthyer tubi i gazit të mjetit lundrues.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur para afro 1 ore, ku thuhet se gjatë zbritjes nga karroceria e një mjeti lundrues në pronësi të tij, kur shtetasit E. N., 39 vjeç i ka shpërthyer tubi i gazit duke i shkaktuar atij djegie në trup.
39 vjeçari thuhet se është nisur menjëherë me urgjencë për në Spitalin e Shkodrës, ku bëhet me dije se pastaj është nisur drejt Tiranës për të marrë një mjekim më të specializuar.
Njoftimi i Policisë:
Velipojë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në afërsi të Stacionit të Policisë Kufitare Velipojë, dyshohet se, gjatë zbritjes nga karroceria e një mjeti lundrues në pronësi të tij, shtetasit E. N., 39 vjeç, i ka shpërthyer aksidentalisht tubi i gazit të këtij mjeti lundrues.
Si pasojë, 39-vjeçari ka pësuar djegie në trup. Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin Rajonal Shkodër, ai po transportohet drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.
Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.