Një pensionist në Berat ka denoncuar një rast që lidhet me një kërkesë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore për kthimin e një shume parash të përfituara si kompensim energjie elektrike.
Sipas denoncimit të bërë në emisionin “Studio Live” me Ermal Qorin në Report Tv, pensionistit i është komunikuar se rezulton debitor, pasi për gati dy vite ka përfituar gabimisht kompensimin e dritave në vlerën 640 lekë në muaj. Në njoftimin e marrë, institucioni i ISSH Berat me drejtues Altin Kazazin, kërkon rikthimin e shumës së përfituar, duke argumentuar se pagesa është kryer gabimisht për shkak të një problemi administrativ. Pra, njp gabim i kryer nga vetë stafi i këtij institucioni, ngarkon përgjegjës qytetarin!
Eksperti Ergis Sefa e konsideron të padrejtë dhe të padëgjuar më parë ngarkimin me përgjegjësi të qytetarëve për gabime të institucioneve.
“Personi në fjalë nuk është se ka përvetësuar vetë paratë. Është marrë një vendim nga vetë administrata që ta kualifikonte për këtë përfitim. Nëse institucioni ia ka njohur të drejtën pensionistit, ai nuk ka bërë asgjë të paligjshme”, u shpreh eksperti.
Sipas tij, përgjegjësia duhet të mbetet mbi institucionin që ka kryer gabimin në llogaritje dhe jo mbi qytetarin.
“Nëse ministria apo institucioni përkatës ka bërë gabime në llogaritje, atëherë duhet të mbajë vetë përgjegjësi. Nuk jemi në kushtet kur pretendohet se qytetari ka mashtruar shtetin”- Përfundoi ai.
Por a është ky rasti i parë që ky institucion kryen manovra të tilla jashtë logjikës normale, ku individ ndërrmarin iniciativa të turpshme në emër të shtetit?/Shqiptarja.com
