Një grup prindërish ka ngritur shqetësimin se në një nga çerdhet publike të Tiranës, edukatoret u kanë kërkuar të kontribuojnë financiarisht për blerjen e një kondicioneri të ri, pasi pajisja ekzistuese është dëmtuar dhe nuk mund të riparohet më.
Sipas mesazhit të shpërndarë nga edukatorët te prindërit, kondicioneri ka qenë prej kohësh me probleme, ndërsa së fundmi është bërë i papërdorshëm. Për shkak të temperaturave të larta të ditëve të fundit, ambientet e çerdhes, sipas tyre, janë bërë të papërshtatshme për fëmijët.
Në mesazh thuhet gjithashtu se është kërkuar zyrtarisht ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse, por mungesa e fondeve dhe vonesat në procedura kanë bërë që zgjidhja të mos vijë në kohë për sezonin aktual.
Për këtë arsye, prindërve u është propozuar një kontribut vullnetar prej rreth 1,000–1,500 lekësh të reja (ose më shumë sipas mundësisë), me qëllim mbulimin e kostos së zëvendësimit të kondicionerit.
Disa prindër e kanë konsideruar shqetësuese praktikën e kërkesës për financim nga vetë familjet për pajisje bazë të një institucioni publik, që mbahet me taksat e tyre.
Mesazhi i edukatores:
Të dashur prindër, shpresoj që jeni mirë të gjithë ju dhe bebushat! Dua të ndaj me ju një çështje që na prek të gjithëve njësoj,kondicioneri në grupin e fëmijëve tanë është prishur përfundimisht dhe, fatkeqësisht, nuk rregullohet më. E dimë që problemi po jepte shenja prej kohësh, por tani ka ardhur momenti që duhet zëvendësuar, sepse me nxehtësinë e këtyre ditëve dhoma bëhet vërtet e papërshtatshme për të vegjlit.
Dua t’ju them se përveç çerdhes, jam interesuar edhe personalisht prane institucioneve shtetërore për një zgjidhje, por siç dihet, kohët e përgjigjes zgjasin së tepërmi dhe nëse presim ato, fëmijët do të kalojnë edhe një verë tjetër të nxehtë pa asnjë zgjidhje.
Propozoj një kontribut të vogël nga secili prej nesh, rreth 10–15 mijë lekë të vjetra (kush të mundet edhe më tepër), që së bashku ta zëvendësojmë kondicionerin sa më shpejt. Është një shumë e vogël për secilin, por bashkë bën një ndryshim të madh për fëmijët tanë.


