Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Përlat i Epërm, në Mirditë, ku një 45-vjeçar ka humbur jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike. Viktima, banues në Durrës, ndodhej pranë banesës së vjehrrit të tij kur ndodhi ngjarja tragjike.
Sipas informacioneve paraprake, 45-vjeçari dyshohet se kishte hipur në një shtyllë elektrike për të rregulluar linjën e ndriçimit. Gjatë punës, ai ka rënë në kontakt me energjinë elektrike, duke pësuar dëmtime fatale që i shkaktuan vdekjen në vend.
Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit. Ndërkohë, pritet që hetimet të përcaktojnë me saktësi dinamikën e ngjarjes dhe nëse janë respektuar rregullat e sigurisë gjatë ndërhyrjes në rrjetin elektrik.