Policia ka arrestuar Nikolla Agollin, i dyshuar si autori i plagosjes me armë zjarri të 35-vjeçarit Brian Syzo, ngjarje e ndodhur këtë të diel në lagjen nr. 3 të Pogradecit.
Sipas autoriteteve, Agolli u vu në pranga teksa po tentonte të largohej me një furgon në drejtim të Prrenjasit, pasi kishte braktisur automjetin e tij në zonën e Qafë-Thanës. Gjatë operacionit u shoqërua edhe një person tjetër që ndodhej me të, ndërsa hetuesit po verifikojnë rolin e tij në ngjarje.
Nga të shtënat mbeti i plagosur Brian Syzo, i cili fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin e Pogradecit, por më pas u transportua drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.

Sipas burimeve mjekësore, plumbi e ka goditur në këmbë dhe dyshohet se ka dëmtuar një nga venat kryesore, çka ka ngritur shqetësime për komplikacione serioze dhe rrezik të mundshëm për amputim. Aktualisht ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve specialistë.
Policia bën me dije se i plagosuri ka precedentë penalë, ndërsa në të kaluarën është proceduar për vepra penale që lidhen me prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike, si edhe është përfshirë në disa konflikte në qytetin e Pogradecit.
Grupi hetimor ka sekuestruar prova materiale dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të plagosjes.