Një incident i rëndë është regjistruar në Golem ku punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë mbajtur peng për disa orë brenda ambienteve të një resorti. Punonjësit e Tatimeve kishin shkuar për kontroll, ndërsa administratori i resortit së bashku me 4 punonjës i kanë mbyllur brenda për një kohë të konsiderueshme.
Lidhur me ngjarjen Policia ka arrestuar administratorin e resortit Saimir Ndreca, shefi i financës Zaho Jaçaj, shefi i sigurë Artan Kasa dhe 2 punonjësit e sigurisë Hamid Sula, Bujar Agolli. Ata akuzohen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Njoftimi i policisë:
Mbajtën të mbyllur, për një kohë të konsiderueshme, brenda ambienteve të një resorti në Golem, punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, vihen në pranga administratori dhe 4 punonjës të tjerë të resortit.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, pas kallëzimit të bërë nga punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, shtetasit:
S. N., 34 vjeç, administrator i resortit;
Z. J., 56 vjeç, shef finance në resort;
A. K., 56 vjeç, shef i sigurisë së resortit;
H. S., 64 vjeç, punonjës i sigurisë së resortit;
B. A., 57 vjeç, punonjës i sigurisë së resortit.
Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 18.07.2026, kanë penguar dhe kanë mbajtur të mbyllur, për një kohë të konsiderueshme, brenda ambienteve të një resorti në Golem, punonjësit e Task Forcës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, të cilët ishin duke ushtruar detyrën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.