Screenshot
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka reaguar ndaj pamjeve që janë bërë publike pasditen e kësaj të enjte në një nga rrugët e Tiranës, dhe që ka gjetur shpërndarje të gjerë në mediat sociale, ku një qytetarë ndalohet befasisht nga persona të veshur me rroba civile.
Nisur nga interesi i lartë dhe viraliteti i pamjeve, ministri Besfort Lamallari i është përgjigjur drejtpërdrejt gazetarit Mentor Kikia, duke evidentuar se dy personat me rroba civile janë në fakt agjentë të Departamentit të Policisë Kriminale.
“Personat që shoqërojnë qytetarin e shfaqur në videon e publikuar janë punonjës të Policisë së Shtetit, me detyrë agjentë të Policisë Kriminale në një nga Komisariatet në varësi të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Nga analizimi i pamjeve filmike të administruara, janë identifikuar persona të cilët, gjatë protestës, kanë goditur me sende të forta punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin në krye të detyrës. Si pasojë e këtyre sulmeve janë dëmtuar 6 punonjës policie, 3 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të rënda fizike”,sqaron ministri.
Sipas Besfort Lamallarit, në përmbushje të detyrave funksionale dhe në zbatim të ligjit, punonjësit e Policisë Kriminale kanë të drejtë të mbajnë në vëzhgim persona të dyshuar për përfshirje apo mbështetje të akteve të dhunshme gjatë tubimeve, si dhe, në momentet e përshtatshme operative, të kryejnë shoqërimin e tyre për veprime të mëtejshme procedurale.
“Punonjësit e Policisë, në momentet e para të ndërhyrjes, i janë prezantuar personit të shoqëruar si agjentë të Policisë Kriminale. Pretendimet për ushtrim “terrori”, të paraqitura në videon e publikuar, nuk qëndrojnë”, shton ai, duke theksuar se agjentët kanë vepruar në përputhje me procedurat standarde të punës dhe protokollet për menaxhimin dhe garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë tubimeve.