Kryeministri Edi Rama komentoi për herë të parë në mënyrë të zgjeruar protestat që prej më shumë se një muaji zhvillohen në bulevard, duke bërë dallimin mes, sipas tij, shqetësimeve reale të qytetarëve dhe asaj që e cilësoi si “pjesa e zhurmshme” e tubimeve.
Gjatë fjalës së mbajtur në Edicionin e Tretë të Javës së Administratës Publike, me fokus “Shërbimin Publik për një Shqipëri Europiane”, Rama tha se qeveria është e interesuar të dëgjojë atë që ai e quajti “uji i pastër” i protestës, pra problemet reale të qytetarëve.
“Ne po lexojmë protestën e bulevardit në atë pjesë që ka rëndësinë themelore për ne, që është zëri dhe shqetësimet reale, ajo që unë e quaj uji i pastër i protestës. Nën atë koren e zezë, që është pjesa e dukshme dhe e zhurmshme, janë mbledhur të gjithë dështakët dhe zemërakët e Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Për të ilustruar këtë qëndrim, kryeministri rrëfeu historinë e një gruaje të moshuar, e cila kishte marrë pjesë në protestë pasi ishte ndjerë e poshtëruar nga mënyra se si ishte trajtuar në një poliklinikë. Sipas tij, rasti tregon se zemërimi i qytetarëve shpesh lidhet me mungesën e shërbimit dhe të njerëzillëkut në administratën publike.
Rama kritikoi sjelljen e disa punonjësve të sistemit shëndetësor, duke thënë se qytetarët nuk revoltohen vetëm kur nuk u zgjidhet problemi, por kur ndihen të shpërfillur dhe të poshtëruar nga shteti.
“Ndjenja e poshtërimit nga shteti yt, nga njerëzit që paguhen për të të shërbyer ty, është kulmi. Mungesa e njerëzillëkut është një mungesë që njerëzit nuk janë të gatshëm ta tolerojnë”, u shpreh kryeministri.
Gjatë aktivitetit të Javës së Administratës Publike, kryeministri premtoi se shërbimet do të përmirësohen falë sistemit dhe digjitalizimit, duke theksuar se “mund të ndërrosh sa kryeministra të duash, por përmirësimet vijnë nga sistemi”.
Kadastra ka qenë prej vitesh një nga institucionet më të kritikuara nga qytetarët, me ankesa për vonesa, mbivendosje pronash, burokraci dhe korrupsion. Megjithatë, vetëm tani, në mandatin e katërt, qeveria pranon publikisht se situata është ende larg normales.