Të afërmit e shoferit 36-vjeçar, Redion Hasimi, i cili humbi jetën në aksidentin e ndodhur në hyrje të autostradës Durrës–Tiranë, kanë hapur një llogari “GoFundMe” për të ndihmuar familjen e tij.
Familjarët thonë se qëllimi i fushatës është të ndihmojnë bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij të vegjël për të përballuar vështirësitë e krijuara pas humbjes së tij.
Hasimi sipas hetimeve paraprake, nuk kishte asnjë shkelje të regjistruar të rregullave të qarkullimit rrugor dhe dyshohet se gjatë drejtimit të mjetit mund të ketë pësuar një kolaps shëndetësor. Dëshmitë e pasagjerëve tregojnë se ai kishte shfaqur më herët shqetësime për gjendjen e tij shëndetësore.
Minibusi i linjës Berat–Tiranë, që transportonte pasagjerë drejt kryeqytetit, ka dalë në korsinë e emergjencës pa shenja frenimi, ndërsa përplasja me barrierën metalike ka qenë e fortë. Mjeti ka rezultuar pa defekte teknike dhe me kolaudim të kryer rreth një muaj më parë.
Si pasojë e aksidentit, shoferi humbi jetën në vend, ndërsa 12 pasagjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital, disa prej tyre në gjendje të rëndë.