Një fëmijë 7 vjeçar ka ndërruar jetë mesditën e kësaj të shtune në Tiranë, pasi është zënë poshtë nga porta metalike e shtëpisë, në zonën e Bathores. Ai është dërguar me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë.
Lajmin e ka konfirmuar dhe Spitali Universitar i Traumës, ku pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, bëhet me dije se vogëlushi ka mbërritur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk u ka mbijetuar plagëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, në zonën e Bathores në periferi të Tiranës, ku po dokumentohet me prova ligjore dhe po kryhet hetim për rastin tragjik.
Ndërkohë, familja e vogëlushit është tronditur nga lajmi i kobshëm që ka mbërritur nga Spitali i Traumës. Porta metalike e ka zënë nën vete 7 vjeçarin, në rrethana të paqarta, duke i shkaktuar dëmtime dhe fraktura të shumta në trup.