Prej më shumë se një muaji, mijëra shqiptarë protestojnë çdo ditë në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në jug të vendit (pranë një zone të mbrojtur), i lidhur me kompaninë e Jared Kushnerit, bashkëshorti i Ivanka Trump dhe dhëndri i Donald Trumpit. Demonstratat u shndërruan shpejt në protesta kundër qeverisë socialiste të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
“Në fillim më kujtoi protestën studentore të vitit 2018: njerëz të ndryshëm, motive të ndryshme, shqetësime të sinqerta dhe një mesazh që e mora seriozisht. Kam dëgjuar dhe vazhdoj të dëgjoj”, përgjigjet Rama gjatë një interviste për Corriere della Sera.
Rama është pyetur për reagimin e tij ndaj protestuesve ku kërkon ndjesë për njerëzit e sinqertë që mund të jenë fyer dhe është i gatshëm të dialogojë me ta. Të njëjtën gjë nuk e thotë për ata që prodhojnë baltë, histeri, shpifje e baltë.
Sa për dorëheqjen e tij, kryeministri nuk pranon kurrsesi ultimatum pasi thotë se për këtë nevojiten zgjedhje. Për ndërhyrjet e huaja, të cilat flet gjerë e gjatë, shprehet se nuk e zhvlerësojnë protestën, por tregojnë si po përdoren qëllimet e saj nga interesa të tjera.
Protesta nuk do ta dëmtojë sezonin turistik dhe as anëtarësimin në BE, por thirrja e vazhdueshme për protestuesit është transparenca dhe dialogu.
Duke u ndalur paksa te opozita, Rama nuk i merr të gjitha meritat për vete për forcën e tij në zgjedhje pasi i jep pak ‘tortë’ edhe dobësisë së kundërshtarit.
Intervista e plotë për Corriere Della Sera
-Tani protesta ka ndryshuar?
Edi Rama: Me kalimin e javëve protesta ka ndryshuar në thelb. Sot nuk është më vetëm një shqetësim qytetar për mjedisin. Është edhe një protestë politike, e marrë në dorë nga një koalicion opozitash, aktorësh politikë dhe rrjetesh nga jashtë, të cilët kanë një objektiv të përbashkët: të godasin qeverinë. Dhe këtu ekziston edhe një dimension global.
-Në ç’kuptim?
Edi Rama: Emri Trump nuk është thjesht emri i një investitori në këtë histori: ai është burimi më i madh i indinjatës digjitale në botë. Kudo që shfaqet emri Trump, aktivizohen automatikisht ushtri politike, mediatike dhe digjitale, pro dhe kundër tij. Shqipëria, për shkak të këtij projekti, është shndërruar papritur në një arenë të vogël ku përplasen anti-Trumpistët globalë me Trumpin, ndërsa debati i vërtetë shqiptar mbi mjedisin, zhvillimin dhe ligjin shpesh mbytet nga kjo zhurmë e importuar. Kjo nuk e zhvlerëson asnjë qytetar të sinqertë që proteston. Por unë kam detyrimin të dalloj mes qytetarit që shqetësohet për natyrën dhe fabrikave të histerisë që përpiqen ta përdorin Shqipërinë si skenë për betejat e tyre.
-Protestuesit kërkojnë që qeveria të bllokojë projektin në Zvërnec, të lidhur me familjen Trump.
Edi Rama: Qeveria nuk ka asgjë për të bllokuar, sepse ende nuk ekziston një projekt përfundimtar. Nuk ka leje ndërtimi. Nuk ka kantier. Nuk ka një vendim përfundimtar për të cilin mund të thuhet: ndalojeni. Të kërkosh anulimin e një projekti që ende nuk ekziston në formën e tij përfundimtare është një kërkesë politike, jo një vendim qeveritar. Një qeveri serioze nuk vepron mbi fantazi, por mbi dokumente, ligje, studime dhe standarde.
-Po çfarë po bëni ju?
Edi Rama: Po presim projektin përfundimtar. Dhe shpresoj që të jetë një projekt i jashtëzakonshëm, me arkitektë, urbanistë, inxhinierë të mjedisit, ekspertë të biodiversitetit dhe standarde evropiane të nivelit më të lartë. Ambicia ime nuk është që ai të bëhet edhe një resort tjetër, por një model i ri zhvillimi ku turizmi dhe natyra të mos përjashtojnë njëri-tjetrin.
-Pse i rezistoni idesë së bllokimit? Keni frikë nga administrata amerikane?
Edi Rama: Jo. Nuk kam frikë as nga administrata amerikane, as nga rrjetet sociale, as nga turma. Kam një përgjegjësi ndaj Shqipërisë. Kriteri nuk do të jetë emri i investitorit dhe as zhurma globale pro apo kundër Trumpit. Kriteri do të jetë vetëm një: a i përmbush projekti standardet ligjore, mjedisore, arkitekturore dhe strategjike që meriton Shqipëria evropiane? Nëse po, projekti vazhdon. Nëse jo, nuk vazhdon. Pikë.
-Keni përdorur terma fyes ndaj protestuesve. Nuk është një reagim normal…
Edi Rama: Nëse ndonjë fjalë e imja ka lënduar njerëz të sinqertë që protestojnë nga shqetësimi për natyrën, e them pa asnjë vështirësi: më vjen keq. Por nuk pranoj të barazoj qytetarët e sinqertë me fabrikat e baltës, propagandën politike, llogaritë anonime, shpifësit, kërcënuesit dhe prodhuesit e histerisë. Me të parët dialogoj. Me të dytët përballem.
-Ju thoni se njerëzit janë të keqinformuar. Cila është e vërteta?
Edi Rama: E vërteta është shumë më e thjeshtë sesa legjenda. Nuk ka nisur asnjë ndërtim. Nuk ka shitje të Sazanit. Nuk ka betonizim të lagunës. Nuk ka asgjë nga apokalipsi që qarkullon çdo ditë në rrjetet sociale. Ekziston një proces i mundshëm zhvillimi turistik, i cili do të shqyrtohet vetëm mbi bazën e ligjit, studimeve mjedisore dhe standardeve ndërkombëtare. Dhe po, ambicia jonë është që çdo zhvillim atje jo vetëm të mos e dëmtojë mjedisin, por t’i sjellë atij një përfitim të matshëm.
-E përsëris: a nuk do të ishte më e arsyeshme ta bllokonit projektin, duke parë reagimin popullor?
Edi Rama: Reagimi popullor duhet dëgjuar. Por shteti nuk mund të qeveriset me telekomandën e rrjeteve sociale. Nëse çdo proces ndalet sapo krijohet një stuhi digjitale, atëherë nuk kemi më ligj, nuk kemi më ekonomi, nuk kemi më institucione. Kemi vetëm frikë. Dhe frika nuk është politikë publike.
-Protestuesit kërkojnë dorëheqjen tuaj dhe duan gjithashtu që të mos rikandidoni.
Edi Rama: Në një demokraci, dorëheqjet nuk vendosen nga megafonët, por nga institucionet dhe qytetarët përmes votës. Unë kam një mandat të qartë. Kush mendon se duhet të largohem, ka të drejtë të organizohet, të garojë dhe të fitojë zgjedhjet. Kjo është demokracia. Ultimatumet nuk janë demokraci.
-I keni fituar zgjedhjet, por pakënaqësia ekziston.
Edi Rama: Fitorja nuk është një vaksinë kundër pakënaqësisë. Mandati nuk është një licencë për vetëkënaqësi. Ekziston një fenomen i njohur në politikë: kur një vend përmirësohet, qytetarët bëhen më pak tolerantë ndaj asaj që ende nuk funksionon. Rrugët më të mira i bëjnë gropat më të bezdisshme. Shërbimet më të shpejta e bëjnë çdo vonesë më të padurueshme. Lufta kundër korrupsionit e bën çdo skandal edhe më të papranueshëm. Kjo është revolucioni i pritshmërive në rritje. Dhe është shenjë se shoqëria nuk është dorëzuar. Detyra jonë është të dëgjojmë më mirë, të shpjegojmë më qartë dhe të korrigjojmë më shpejt.
-Por këto janë protesta më shumë kundër projektit apo kundër qeverisë?
Edi Rama: Kanë lindur si një shqetësim për projektin. Sot janë gjithashtu një protestë politike kundër qeverisë. Kjo nuk është problem. Opozita ka të drejtë të protestojë. Problemi lind kur mjedisi përdoret si kostum për një betejë pushteti që nuk ka asnjë lidhje me flamingot, lagunën apo ligjin.
-Ju keni folur për ndërhyrje të huaja. A keni prova?
Edi Rama: Po flas për ndërhyrje digjitale, jo për qytetarët që dalin në bulevard. Janë dy gjëra të ndryshme. Kemi parë amplifikim artificial nga jashtë, përdorim masiv të VPN-ve, llogari anonime, platforma të lidhura me ekosisteme propagandistike dhe aktorë me qëllime keqdashëse. Institucionet do të bëjnë raportin e tyre. Por dua të jem i qartë: ndërhyrja e huaj nuk e zhvlerëson protestën e qytetarëve të sinqertë. Ajo vetëm tregon se shqetësimet e tyre po përdoren nga të tjerë për qëllime të tjera.
-Mos vallë jeni përqendruar tepër te imazhi i Shqipërisë jashtë vendit, duke lënë pas dore problemet e brendshme?
Edi Rama: Imazhi i Shqipërisë jashtë vendit nuk është kozmetikë. Është ekonomi, investime, turizëm, diplomaci, siguri dhe respekt për shqiptarët. Por po, problemet e brendshme nuk zgjidhen me flamuj në samitet ndërkombëtare. Pensionet, shëndetësia, pronësia, drejtësia e përditshme dhe shërbimet publike: këtu ka ende shumë punë për të bërë. Nuk e mohoj.
-Çfarë u përgjigjeni akuzave për korrupsion, pensione të ulëta, shëndetësi të dobët dhe mungesë perspektive për të rinjtë?
Edi Rama: Nuk i quaj të gjitha akuza. Disa janë probleme reale. Pensionet janë ende të ulëta. Shëndetësia ka ende plagë të hapura. Pasiguria juridike nuk zhduket me një ligj. Të rinjtë kërkojnë më shumë dhe kanë të drejtë. Por Shqipëria e sotme nuk është ajo e djeshmja. Pagat janë rritur. Punësimi është rritur. Ekonomia është më e fortë. Drejtësia po prek të paprekshmit. Vendi është më pranë Bashkimit Evropian se kurrë më parë. Kjo nuk mjafton. Por nuk është pak.
-Transparency International e rendit Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara të Evropës. Kush mban përgjegjësi?
Edi Rama: Nuk ndikohem nga raportet që bazohen te perceptimet. Raporti që marr më seriozisht është Raporti i Progresit i Komisionit Evropian. Dhe ka një fakt që thotë më shumë se perceptimet: në Shqipëri, për herë të parë, drejtësia po heton ministra, kryetarë bashkish, deputetë, sipërmarrës dhe njerëz të pushtetshëm. Kjo nuk është fundi i korrupsionit, por është fillimi i fundit të paprekshmërisë. Dhe ky është një ndryshim historik.
-Ruani ende një forcë elektorale. Është meritë e qeverisë apo dobësi e opozitës?
Edi Rama: Të dyja. Do të ishte arrogancë të thosha vetëm të parën dhe hipokrizi të mohoja të dytën. Por askush nuk fiton kaq gjatë vetëm falë dobësisë së kundërshtarit. Njerëzit mund të jenë të pakënaqur me shumë gjëra, por dinë të dallojnë mes një force që punon, gabon, korrigjohet dhe ecën përpara, dhe një opozite që shpesh jeton më shumë nga urrejtja ndaj meje sesa nga një projekt për Shqipërinë.
-Meqë ra fjala, kush është lideri i opozitës?
Edi Rama: Këtë duhet ta thotë opozita, jo unë. Unë nuk emëroj liderët e saj. Problemi është se opozita ka më shumë pretendentë për fronin e zemërimit sesa bartës të një projekti qeverisës. Por ky është problemi i saj.
-Keni frikë se protestat do ta dëmtojnë sezonin turistik?
Edi Rama: Jo për shkak të protestës. Një vend ku njerëzit protestojnë lirisht është një vend demokratik, jo një vend i rrezikshëm. Shqetësimi im është imazhi i rremë që prodhon histeria digjitale: sikur Shqipëria të ishte në kaos, sikur të ishte në flakë, sikur të mos kishte institucione. Kjo nuk është e vërtetë. Shqipëria është e hapur, e sigurt dhe këtë do ta dëshmojë edhe një herë ky sezon.
-A mund të ngadalësohet procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian?
Edi Rama: Jo. Protesta paqësore nuk e dëmton procesin. Përkundrazi, ajo dëshmon se kemi një shoqëri të lirë. Ajo që do ta dëmtonte procesin evropian do të ishte zëvendësimi i shtetit të së drejtës me presionin e rrugës, ose rikthimi i dezinformimit si politikë publike.
-Çfarë zgjidhjeje u propozoni protestuesve?
Edi Rama: Transparencë, dialog dhe fakte. Zgjidhja nuk mund të jetë: ndaleni gjithçka sepse kështu them unë. Zgjidhja është: verifikoni gjithçka, korrigjoni atë që duhet korrigjuar, ndaloni atë që bie ndesh me ligjin dhe interesin publik, dhe lejoni atë që i shërben vendit.
-Disa thonë se nuk ka më dallim mes Partisë Socialiste dhe shtetit.
Edi Rama: Kjo është një tezë politike, jo një fakt. Shqipëria ka institucione. Ka një drejtësi që merr vendime kundër njerëzve të qeverisë dhe kundër vetë qeverisë. Ka media ku shumica dërrmuese e përmbajtjes është kritike ndaj qeverisë. Ka një opozitë që proteston përpara zyrës sime. Ka zgjedhje që certifikohen nga shqiptarët. Formula partia është shteti është propagandë e lehtë për një realitet shumë më kompleks.
-A ka diçka që mendoni se duhej ta kishit menaxhuar më mirë gjatë këtij muaji protestash?
Edi Rama: Sigurisht që ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë. Gjithmonë ka. Por nuk pendohem që nuk bëra atë që kërkonte turma digjitale: të shpallja fajtor një proces përpara se të kishte prova dhe të ndaloja një projekt përpara se të ekzistonte një projekt. Detyra ime nuk është të jem i pëlqyer në çdo moment. Detyra ime është të mbroj ligjin, interesin publik dhe të ardhmen e Shqipërisë.