Si rrallëherë, kreu i opozitës Sali Berisha ishte në një linjë me kryeministrin Edi Rama për projektin historik të investimit 4 miliardë euro në Zvërnec. Madje, Berisha akuzoi Edi Ramën se po bllokonte investimet e huaja, duke nënkuptuar se ai ishte më i interesuar se sa Rama për realizimin e investimit.
“Qëndrimi ynë është i qartë: ne besojmë se investimet e huaja janë jetike për zhvillimin e Shqipërisë. Nga viti 2008 deri në vitin 2013, investimet e huaja varionin nga 1.2 deri në 1.4 miliardë euro në vit. Ndërkohë sot, Partia Demokratike vazhdon të mbështesë investimet e huaja, por ju po largoni të vetmin investitor të huaj që ka mbetur në Shqipëri. Mbajeni shënim këtë. Vetë ai tha: ‘Ju më votuat mua’. Pra, e hoqi maskën. E pranoi hapur“, tha Berisha.
Pronarët e pronave në Zvërnec, ku edhe do të realizohet investimi, nisën të shfaqeshin si të tillë gjatë qeverisjes së PD-së. Një prej tyre është indentifikuar Artur Shehu, një biznesmen kontrovers, i lakuar si figurë e krimit të organizuar, rival i bandës së Zani Çaushit. Pyetje që shtrohet është: A mundej Artur Shehu të thyente sistemin e Berishës (Agjencitë e pronave, gjykatat etj), duke u legjitimuar si pronar i Zvërnecit, pa përfshirë në pjesë familjarët e Berishës, të cilët dalin pronarë të tolave nga Velipoja në Ksamil përmes prestanome-ve?
Disa burime të kryqëzuara theksojnë se një nga pronaret e kamufluara të pronave në Zvërnec, të shitura më pas te grupi investitor, dyshohet se është Argita. Teksa Shkëlzeni dyshohet se është pronar i kodrës së Ksamilit përmes prestanomes Çim Beshiri, Argita dyshohet se është një nga pronaret kryesore të Zvërnecit, tjetërsimin e të cilit e kanë vulosur disa gjykata të shkallës së parë dhe apelit.
Ndërkaq, SPAK ka thelluar veprimet hetimore, hetim i cili nuk është mirëpritur si nga opozita. SPAK mësohet të ketë vënë nën sekuestro preventive llogaritë bankare të ‘Albania Land Development’, kompania e cila zotërohet nga dy sipërmarrësit e njohur nga Katari, vëllezërit Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, të cilët kanë parashikuar të investojnë së bashku me Jared Kushner-in, dhëndrrin e presidentit amerikan Donald Trump, në ndërtimin e resortit luksoz në Zvërnec.
Më herët, SPAK ka ushtruar kontrolle në qytetin bregdetar, Vlorë. Agjentët e BKH-së kanë zbarkuar në zyrën e avokatit Enkes Hysendhima, ku mësohet se janë sekuestruar disa dokumente dhe kompjuterë. Ai është thirrur edhe në SPAK, ku është marrë në pyetje. Siç e kërkon procedura, gjatë kontrolleve mësohet se ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Dhomës së Avokatisë së Vlorës, Durim Barjamaj.
Enkes Hysendhima është nipi i Pëllumb Petritit, të cilit gjithashtu i është ushtruar kontroll në banesën e tij në Vlorë. Pëllumb Petriti, krushku i një kryebashkiaku socialist, është hetuar dhe dënuar disa herë për çështjen e tjetërsimit të pronave në zona të ndryshme të Vlorës, për falsifikim të dokumenteve dhe pastrim parash, ndërsa i përfshirë ka qenë dhe nipi i tij avokat.
BKH po ashtu ka ushtruar kontroll edhe tek Leonard Bishaj, një figurë që flitet si lidhje e ngushtë e biznesmenit, Artur Shehu, një personazh i lakuar si figurë e krimit të organizuar. Sipas mediave, deri në vitin 2023 Bishaj ka pasur edhe prokurë për përfaqësimin e Shehu në marrëdhënie tregtare. Pronat në Zvërnec janë blerë nga shoqëria ‘Albania Land Development’, e cila ka qenë në pronësi të inxhinierit Redi Struga. Ky i fundit, në vitin 2025 ka shitur kuotat e shoqërisë tek dy vëllezërit nga Katari, Mohamadmoataz dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat.
Në skenë del edhe ish gjyqtari Alaudin Malaj. Një tjetër palë në kontratën e sipërmarrjes është kompania “AM-Invest”, e cila zotëron 25 mijë metra katrorë tokë. Kjo kompani është në pronësi të familjes së Alaudin Malajt, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Ish-gjyqtari zotëron 25% të aksioneve, të dhuruara nga nëna e tij, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga babai dhe vëllai i tij.
Malaj ka gjithashtu një histori me pronat në këtë zonë, pasi ka dhënë dy vendime lidhur me to. Një vendim civil në vitin 2013, që i njohu familjes Shehu 156 hektarë tokë në këtë zonë, duke përmbysur vendimin e Shkallës së Parë; si dhe një vendim penal në vitin 2019, ku ai, në cilësinë e relatorit – në një trup gjykues ku bënin pjesë edhe ish-gjyqtari Agim Bendo e ish-gjyqtarja Shpresa Beçaj – pushoi çështjen për falsifikim dokumentesh ndaj Pëllumb Petritajt. Të dyja këto vendime u kthyen për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi probleme në arsyetim.
Malaj dha dorëheqjen në vitin 2020 dhe u përjashtua nga sistemi i drejtësisë nga procesi i vetingut në shkurt 2021. Me rreth 1.7 milionë euro pasuri të deklaruar, ai konsiderohej një nga gjyqtarët më të pasur në Shqipëri. Gjatë procesit të vetingut, Malaj pretendoi se po bëhej viktimë e një komploti.
Ish-gjyqtari ishte i paarritshëm për koment, por vëllai i tij, Agron Malaj, mohoi kategorikisht që toka në pronësi të kompanisë së tij të kishte lidhje me vendimet e dhëna nga i vëllai. “Këto vendime nuk kanë lidhje me pasurinë”, tha ai, ndërsa shpjegoi se toka ishte blerë për rreth 80 milionë lekë përmes kompanisë nga një biznesmen i palidhur me familjen Shehu në vitin 2021. “Toka është blerë nga unë përmes kompanisë dhe është paguar me bankë”, shtoi ai.
Dokumentet e AZHT-së dhe një sërë vendimesh gjyqësore tregojnë se origjina e këtyre pronave lidhet ngushtë me biznesmenin kontravers nga Vlora, Artur Shehu, i cili banon në SHBA, dhe me ish-avokatin e familjes së tij, Pëllumb Petritaj, i akuzuar disa herë për falsifikim dokumentesh.
Shehu dhe persona të lidhur me të – mes tyre Ferdinant Sulaj – kanë nënshkruar një kontratë sipërmarrjeje me kompaninë zhvilluese si pronarë të parcelës me sipërfaqe prej rreth 108 hektarësh tokë. Aktualisht, ai dhe të afërm të tij janë palë në disa procese gjyqësore për pronat e përfshira në këtë projekt. Edhe pse jeton jashtë vendit prej dekadash, Shehu rezulton ndër përfituesit më të mëdhenj të një sërë skemash të hetuara për tjetërsim pronash në Vlorë.
Një pjesë e këtyre hetimeve, të lidhura me parcela toke në gadishullin e Karaburunit, janë mbyllur me konfiskimin e pronave, ndërsa procedime të tjera janë ende në gjykim. Vetë Shehu nuk është nën akuzë. Emri i tij është lidhur herë pas here me aktivitete kriminale dhe u përmend së fundmi në një dokumentar të televizionit italian “Rai” për hetime të mëparshme lidhur me organizatën mafioze, Sacra Corona Unita.
Shehu nuk ishte i arritshëm për koment, ndërsa një avokate e tij në Vlorë tha se nuk kishte më tagër përfaqësimi. Sulaj ishte gjithashtu i paarritshëm. Një tjetër sipërfaqe prej 78 mijë metrash katrorë zotërohet nga Feriare Ndreu (Petritaj), vajza e Pëllumb Petritajt. Ky i fundit është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, i dënuar në shkallë të parë dhe i arrestuar disa herë.
Ai ka qenë me masë sigurimi “arrest shtëpie” deri në mesin e vitit të kaluar dhe mbetet ende nën masë sigurimi, në pritje të përfundimit të proceseve penale në Apel për falsifikimin e dokumenteve që i dhanë prona masive familjes Shehu në bregdet, përfshirë pronat e lidhura me resortin në Pishë Poro dhe zonat përreth tij. Në një reagim publik në maj 2024, Petritaj pretendoi pafajësi për veten dhe për Shehun./ prapaskena.com