Një protestues gjatë fjalës së tij në tubimin para Kryeministrisë, tha se kishte 30 ditë që nuk fliste me prindërit, pasi kishte sharë kryedemokratin Sali Berisha.
“Për 2 daljet e mia më të mëparshme kam marrë shumë kritika, tallje e ofendime për faktin se unë nuk jam nga Zvërneci e as nga Rrjolli dhe për këtë arsye unë s’kam pasur pse me dal këtu për të folur apo për të sharë këta gjakpirësa. Goditjen e parë më të madhe e kam marrë prej prindërve, sepse për ata është Zoti në qiell dhe Sali Berisha në tokë, por unë ia kam sharë. Kam 30 ditë që nuk flas me babën e nënën. Zemra më dhemb, por sot nga ky shesh kam vendosur për ta shtyrë edhe për 30 ditë të tjera”, tha protestuesi
Një protestues gjatë fjalës së tij në protestën para Kryeministrisë, tha se disa vite më parë, ishte dënuar më shumë se Saimir Tahiri, për 33 gram bimë narkotike kanabis.
Protestuesi tha se prej 9 vitesh punonte si berber në Irlandë dhe ishte i gatshëm të kthehej në Shqipëri, në rast të largimit të Qeverisë.
“Qëllimi është të heqim Ramën që këtu dhe unë nuk iki më në Irlandë. Kam 9 vite atje, jam berber, jam shumë i mirë në punën time dhe mund të punoj shumë mirë edhe këtu në Shqipëri. Problemi është ika atje pasi dola nga burgu, ku u dënova njësoj me Saimir Tahirin për 33 gramë bar, pasi nuk gjeta dot punë në gjithë Tiranën, shkoja në zyra. Por duhet të kisha shkollë, por e kisha me dëftesë falso. Dhe po nuk ishe lëpirës i këtyre, me dëftesë falso nuk ha dot bukë”, tha mes të tjerash protestuesi.
Një emigrante nga SHBA-të, me profesion kardiokirurge, mbajti një fjalim në anglisht duke u shprehur se përtej oqeanit ka fituar mundësinë e të ardhmen, por tani ka ëndërr të rikthehet në Shqipëri.
“Rama në burg, Berisha në burg. Jam kardiokirurge në Amerikë. Shqiptarët e mi të dashur! Sot jam përpara jush me mirënjohje në zemër, shpresë në shpirt. Amerika më ka mësuar se njerëzit janë të lirë të flasin. Amerika më dha mundësi, Shqipëria identitet. Amerika më dha të ardhmen, Shqipëria shpirtin. Pas 30 vjetësh, kam një ëndërr të re. Dua të rikthehem në Shqipëri. Ëndërroj për një Shqipëri ku të rinjtë ia dalin me meritokraci. Dua të sjell eksperiencën, dijen që fitova jashtë. Ëndërroj për një Shqipëri të drejtë, të begatë, ku diaspora zgjedh të kthehet. Nëse kemi kurajën për të folur, mund ta bëjmë ëndrrën realitet”, tha ajo.