Pas 34 ditësh protesta, duket se lëvizja qytetare po hedh hapin e parë drejt një organizimi të brendshëm.
Klajdi Bello dhe Armir Shkurti, përmes postimeve në Facebook bëjnë me dije se Grupi Nismëtar për organizimin e Kuvendit Kombëtar të Protestës ka zhvilluar një mbledhje pesëorëshe, në përfundim të së cilës janë miratuar në mënyrë unanime platforma dhe kriteret e anëtarësimit.


Sipas tyre, procesi ka kërkuar 34 ditë për shkak të vështirësive dhe, siç shprehen ata, “shkopinjve nën rrota”, ndërsa emrat e kontribuesve nuk janë bërë publikë për t’i mbrojtur nga “raprezaljet”.
Ata theksojnë se Kuvendi Kombëtar i Protestës “me hir a me pahir do të mblidhet”, duke shtuar se protestuesit kanë nevojë për përfaqësim dhe se grupi nismëtar synon ta sigurojë atë.
Në fund të reagimit, përsëritet se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama mbetet e panegociueshme.