Pas lajmit që qarkulloi në rrjet se gruaja e qytetarit që protestoi i vetëm në Përrenjas ishte larguar nga puna, ka ardhur reagimi i vetë protagonistit, i cili e ka përgënjeshtruar kategorikisht këtë pretendim.
Ai ka kontaktuar “Pa Dorashkën” ndërsa ka deklaruar se lajmi nuk është i vërtetë dhe bashkëshortja e tij nuk është pushuar nga puna për shkak të pjesëmarrjes së tij në protestë. Ai ka sqaruar se informacioni që u përhap në rrjetet sociale dhe më pas u publikua në media nuk qëndron.
Pretendimi fillestar ishte ngritur pas një komenti në rrjetet sociale, ku thuhej se gruaja e protestuesit ishte larguar nga puna pas angazhimit të tij në protestat qytetare. Megjithatë, vetë qytetari ka mohuar që një gjë e tillë të ketë ndodhur, duke i dhënë fund spekulimeve që u përhapën gjatë orëve të fundit.
Kujtojmë se qytetari nga Përrenjasi u bë viral pasi doli i vetëm në shesh në një protestë të paralajmëruar më herët, duke tërhequr vëmendjen e mediave dhe rrjeteve sociale.