Screenshot
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat kundër qeverisjes. Në një postim në rrjetet sociale, ai ka publikuar një fotomontazh ku krahason një protestuese të angazhuar në protestë me një objekt që, sipas tij, përbën shtesë pa leje brenda zonës historike të Kalasë së Durrësit.
Në postim, Rama pretendon se protestuesja që ka bërë thirrje për mobilizimin e diasporës në protesta është vetë ndërtuesja e objektit pa leje dhe se ka kundërshtuar më herët procesin e prishjes së tij. Kryeministri e përdor rastin për të kritikuar atë që e quan “manipulim në rrjetet sociale”, duke thënë se persona që shkelin ligjin paraqiten si aktivistë në mbrojtje të interesit publik.
Sipas Ramës, shtesa në fjalë pritet të shembet në kuadër të projektit për rehabilitimin e zonës historike të Durrësit. Ai gjithashtu pretendon se objekti është ndërtuar pa lejet përkatëse dhe se protestuesja ka përfituar më parë nga një hipotekim i kryer vite më parë.


Postimi ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa deri tani nuk ka pasur një reagim publik nga protestuesja e përmendur nga kryeministri lidhur me akuzat e ngritura ndaj saj.