Tetë lokale me muzikë live dhe shtatë qendra masazhi u mbyllën për shkelje administrative në Kosovë, pas kontrolleve të zhvilluara nga 3 deri më 17 nëntor. Sipas Policisë së Kosovës, gjatë operacionit “Vjeshta 2026” u inspektuan 102 biznese në të gjithë vendin. Operacioni kishte për qëllim zbulimin e rasteve të trafikimit me qenie njerëzore.
Në 40 lokalet me muzikë live, policia identifikoi 285 persona, mes tyre 223 gra dhe 62 burra. Nga 168 shtetaset e huaja të identifikuara në këto ambiente, 155 ishin nga Shqipëria, nëntë nga Serbia, tri nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kolumbia.
Në 62 qendrat e masazhit u identifikuan 120 persona, 94 gra dhe 26 burra. Mes tyre kishte 47 shtetase të huaja, prej të cilave 27 nga Tajlanda, 19 nga Shqipëria dhe një nga Serbia.
Gjatë të njëjtit operacion, policia raportoi edhe katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, të lidhura me shërbimet e eskortës. Për këto raste u arrestuan tetë persona, katër burra dhe katër gra. Sipas njoftimit, gjykata i dënoi me gjobë. Për katër gratë, një shtetase të Brazilit dhe tri të Kolumbisë, gjykata vendosi edhe dëbimin nga Kosova dhe ndalimin e hyrjes për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Policia bëri të ditur se të gjitha punonjëseve iu dha mundësia të tregonin nëse ishin përballur me ndonjë formë shfrytëzimi. Sipas njoftimit, gjatë operacionit nuk u identifikua asnjë rast trafikimi.